E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau babanë dhe shokun, pendohet në gjykatë

Autori i Lajmit: red.
Do të qëndrojë në burg deri në mbyllje të hetimit dhe gjykimit në ngarkim të tij 23-vjeçari Arion Lulaj, i cili tre ditë më parë akuzohet se shkaktoi një masakër brenda familjes duke prekur dhe shoqërinë. Arion Lulaj do të gjykohet për veprën penale të vrasjes në rrethana cilësuese, ndërsa është përfaqësuar në gjykatë nga avokat shteti duke mos pasur kështu, një mbrojtje me avokat privat. Në seancën e djeshme, i riu është rrëfyer. Ai e ka pranuar krimin ndërsa është shprehur i habitur që ka qenë në gjendje të bëjë një akt të tillë. Sipas tij nuk ka qenë i ndërgjegjshëm në momentin që ka kryer krimin Mësohet se Lulaj, në dhomat e paraburgimit ndodhet në gjendje të rëndë depresive si pasojë e aktit vrasës që ka kryer dhe që këmbënguli edhe sot se erdhi në rrethana të pabesueshme për të. I riu akuzohet se vrau me armë zjarri Kallashnikov në gjendje të dehur babanë e tij Musa Lulaj, shokun e ngushtë Bledar Xhaferaj, ndërsa plagosi nënën e tij Sofie Lulaj dhe djalin e dajës, Jovan Lazaj. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se 23-vjeçari, ka vrarë me armë automatike të atin dhe shokun e tij të ngushtë, ndërkohë që ka lënë të plagosur të ëmën dhe djalin e dajës. Ngjarja ka ndodhur pak para mesnatës, në lagjen “24 maji” në periferi të qytetit të Vlorës, në zonën afër pyllit të Sodës. Në gjendje të dehur, pas një grindjeje banale, i riu ka dalë nga shtëpia dhe më pas është rikthyer me një automatik. Sapo ka hyrë në dhomë, ai ka qëlluar pa paralajmërim në drejtim të babait, Musait, të ëmës Sofies, 45 vjeçe, djalit të dajës, Jovan Lazaj, 28 vjeç, dhe shokut të tij, Bledar Xhaferraj.

Ky lajm është publikuar: 18/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›