E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lidhja ka humbur arsyen e të qenit

18/02/2005  Ismail Kadare

Lidhja e Shkrimtarëve është njolla e zezë që futi nw burg, që fshehu biografitë, duke detyruar lexuesit shqiptarë të respektojnë shkrimtarë që kanë qenë oficerë sigurimi, në stafin e Koçi Xoxes, që kanë qenë spiunë, denonciatorë. Lidhja e Shkrimtarëve është e atyre që varrosën vepra të artit dhe të letërsisë, së cilës i ka mbetur vetëm “lëkura”.

Shkrimtari Ismail Kadare për herë të parë shprehet hapur për një nga institucionet që ka historinë më të hidhur për artin dhe letërsinë shqiptare. Pikërisht sot, kur mbahet Kuvendi i V, i LSHA-së, ku asgjë nuk ka ndryshuar nga emri i saj i vjetër, ku janë zhdukur të gjitha arkivat. Në debatin më të nxehtë të kohës, kur kërkohet hapja e dosjeve, Kadare thotë se “Arkivi i Lidhjes është zhdukur, ose është fshehur, pikërisht që ndërgjegjja e saj të mos zbulohet”.

Atje është njolla e zezë e atyre që futën në burg shokët e tyre. Ata që fshehën biografitë, duke detyruar lexuesit shqiptarë të respektojnë shkrimtarë që kanë qenë oficerë sigurimi, në stafin e Koçi Xoxës, që kanë qenë spiunë, denonciatorë. E atyre që varrosën vepra të artit dhe të letërsisë

Emri juaj figuron ende në listën e Lidhjes. Për t’u çanwtarësuar duhet një kërkesë zyrtare. Ndërkohë që publikisht nuk jeni afruar në këto vite në këtë OJQ, pse nuk keni deklaruar me shkrim shkëputjen tuaj?

Nuk e kam quajtur të nevojshme të bëj veprime, që i gjykoj të kota dhe pa ndonjë kuptim.

Sot është Kuvendi i V i Lidhjes, ku flitet se kryetari i saj, Limoz Dizdari, do të vendosë policë në derë për të lejuar hyrjen vetëm për anwtarët e saj. Ju do të tentonit të hynit, meqë nuk keni dhënë “dorëheqjen” akoma?

Nuk e besoj se mund të ndodhë një gjë e tillë.

Lidhja e Shkrimtarëve është braktisur me idenë se është “lidhja komuniste”, a mund të jetë ky një shkak për të qëndruar në indeferencë

Mund të jetë një shkak i tillë. Ashtu siç mund të ketë edhe shkaqe të tjera.

Edhe ju gjithashtu nuk jeni përzier asnjëherë në problemet e Lidhjes, në kërkim të identitetit të ri, pse?

Është e vërtetë se nuk jam përzier në një gjë të tillë. Shkaku? Nuk kam patur ndonjë shtysë të brendshme.

Ka 15 vite që kemi dalë nga diktatura, ndërkohë që pritej shumë që “Lidhja” ashtu siç preu koka njerëzish mund të reagonte dhe për rehabilitimin e saj. Përkundrazi në gjithë këto vite një herë është luftuar për godinën, se gati po u falej një qendre kulturore franceze, dhe një herë tjetër, para katër viteve, u luftua për të zënë postin e saj nga njerëz të politikës së majtë, siç ishte Dizdari. Ndërsa tani më shumë tregojnë faturat e korrupsionit që ka bërë kreu i Lidhjes... si e konsideroni gjithë këtë aventurë?

Me duket se marrja me ndërtesën e Lidhjes një kohë të gjatë shpreh një të vërtetë për të. Ky organizëm e ka humbur prej kohësh shpirtin e vet. Kështu që i ka mbetur vetëm lëkura (muret). Kur them shpirtin, kam parasysh shpirtin e keq, dhe shpirtin e mirë.

Arkivi i Lidhjes është zhdukur ose është fshehur, pikërisht që ndërgjegjja e saj të mos zbulohet. Ndërgjegjja e keqe e saj. Që të mos dalë kurrë e vërteta. Për këtë të vërtetë kjo hije që quhet “Lidhje” ka humbur arsyen e të qenit.

Në këto vite ka intesitet në kërkesën për hapjen e dosjes së shkrimtarëve, por ende nuk është marrë asnjë hap. Kjo distancë kohe a është e mjaftueshme për këtë, nga duhet nisur sipas jush ky proces?

Kjo lidhet me pyetjen e mësipërme. Ju e dini mendimin tim. Në arkivat e fshehura është mbyllur turpi i këtij institucioni. Atje është njolla e zezë e atyre që futën në burg shokët e tyre. Ata që fshehën biografitë, duke detyruar lexuesit shqiptarë të respektojnë shkrimtarë që kanë qenë oficerë sigurimi, në stafin e Koçi Xoxës, që kanë qenë spiunë, denonciatorë. E atyre që varrosën vepra të artit dhe të letërsisë. Që përgatitën plenumet e pabesa.

Në proces-verbalet e zhdukura ose të fshehura, krahas turpit të një pale, është edhe nderi i palës tjetër. Ata që nuk denoncuan kurrë kolegët e tyre. Që i mbrojtën ata kur iu afrua fatkeqësia. Që u përpoqën t’i shpëtonin në prag të greminës.

Një nga shkrimtarët e rinj, të avangardës sonë letrare, ka shprehur një mendim ekstremist se gjithë letërsia e diktaturës duhet djegur turë në mes të Tiranës. Realisht letërsia e asaj kohe, me qindra kopje, sot shitet trotuareve. Si duhet riparë produksioni letrar i kësaj periudhe?

Kam folur një herë për “vezët e gjarprit”: Janë ata që vazhdojnë t’i shërbejnë regjimit. Të ulurish për tura drunjsh kundër librave, pa dallim, do të thotë të tërheqësh vëmendjen ndaj xhelatëve dhe krimeve. Kjo lojë ka kohë që po luhet në Shqipëri.

Letërsia e vlefshme që lindi midis tmerrit të një tiranie është dyfish e vlefshme. Ta sulmosh atë, do të thotë të jesh ende sot dora e zgjatur e tiranisë së djeshme.

Ka një lloj sindrome karshi deklaratave që dalin në shtyp në lidhje me hapjen e arkivave. Pse është gjithë kjo frike, për dokumentet që i përkasin gjykimit letrar, tani duke parë jo aq në emra të përveçëm se sa kur flitet për një shtresë intelektuale në diktaturë?

S’duhet ndonjë filozofi për të kuptuar se kanë frikë të përlyerit. Ose të afërmit e tyre

Nga Arkivi i Shtetit herë pas here, drejtori i saj Sh.Sinani jep intervista spontane në lidhje me dosjen tuaj. Por akoma nuk po publikohet dokumentacioni i plotë se kush ju ka përndjekur në kohën e diktaturës. Ka hezitim, që të jep përshtypjen se më shumë po përgatitet terreni, duke u kthyer gati në ankth se cilët mund të jenë emrat.

Pse nuk vendosni?

Nuk jam unë që vendos për librin e drejtorit të Arkivave. Sipas deklaratave të tij, ky libër do të botohet së shpejti.

Çfarë përmasash ka dosja “Kadare” për sa u përket implikimit të emrave, që mund të kenë ruajtur akoma pushtetin politik?

Me sa di unë, do të botohet vetëm një pjesë e saj. Për pjesën tjetër, atë më të errëtën, nuk e di ç’do të bëhet.

Dy ditë më parë është rrëzuar në parlament projektligji për ish-bashkëpunwtorët e sigurimit. Cili është reagimi juaj?

Ky ka qenë një lajm i keq për demokracinë shqiptare. Ky ka qenë një turp për parlamentarët që e kanë rrëzuar atë projektligj. Me këtë, ata kanë rrëzuar veten.

Një vit më parë i është dërguar Presidentit një letër, ku kërkohej zbradhja e dosjes “Kadare”, se cilët kanë bashkëpunuar me sigurimin në dëmin tuaj. Por, me rrëzimin e projektligjit, a mund të plotësohet kjo kërkesë?

Nuk e di.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›