E Hënë, 2 Nëntor 2026

Limoz Dizdari thërret delegatë me pasaportë

18/02/2005  Kuvendi i Lidhjes

Delegatët e Kuvendit të V të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë do të hyjnë në sallë me pasaportë.

Askush tjetër nuk do të guxojë të marrë pjesë në mbledhje, po qe se kryetari Limoz Dizdari nuk e ka shënuar emrin e tij në listën e kuqe të të preferuarve. Numri i të ftuarve është kufizuar, që do të thotë se nuk ëshë e lirë për të gjithë shkrimtarët dhe artistët e Shqipërisë. Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes, Korab Hoxha, pak ditë më parë, ka deklaruar se do të marrin pjesë 70-80 të deleguar për të rivotuar Dizdarin, apo votuar ndokënd tjetër, që i vjen rrotull Lidhjes prej më shumë se pesë vite.

Ky është shqetësimi më i madh i sotëm për Lidhjen në qarqet letrare, a thua se të gjithë këtë herë paskan vendosur të flasin me forcë. Por për çfarë? Një nga anëtarët e kryesisë së Lidhjes, thotë se janë diskirminuar nga kryetari i tyre në gjithë këta vite drejtimi, duke mos u përfillur në projektet dhe vendimet që ka marrë Dizdari. Dikush tjetër, që është bërë “bozë” për problemet e Lidhjes, dhe që, sapo është nderuar me një çmim nga Ministria e Kulturës, dhe që është një ish-i përndjekur, shkruan për korrupsionin e madh që ka bërë Dizdari, për faturat që i ka vjedhur Lidhjes.

Dikush tjetër, që i ka qëndruar po prap aq afër Lidhjes në këto vite, thotë se tani nuk ka më kuptim që shkrimtarët dhe artistët të kenë kryetar. Dhe se në këtë kuvend do të bëjë namin, do ta godasë rëndë Dizdarin!

Ndërsa me statusin, kryetari i Lidhjes ka bërë qejf, duke e ndryshuar sipas dëshirës, fundja derisa është kryetar i një OJQ-je, pa rëndësi publike dhe shtetërore, i ka bërë veprimet sipas kokës së vet. Mes servilizimit të pashoqë të shkrimtarëve që shfaqnin sindromat e fundit nga udhëheqja e diktaturës, Dizdari para katër viteve deklaroi se Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve do t’i mbyllte të gjitha vrimat dhe do t’i ndreqte çatinë, e do t’u rikthente krijuesve komunikimin që iu ishte ftohur 10 vite pas rënies së diktaturës.

Për këtë u zgjodh kryetar i Lidhjes, e mbi të gjitha për aderimin në Partinë Socialiste. Realisht, mandati i është kryer dy dimra të shkuar, ndërsa u caktua 18-19 shkurti, për t’u mbajtur më në fund Kuvendi i Lidhjes.

Shqetësimi është ai që ka qenë në këto 15 vite, që shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë u ka bjerrë komunikimi, që nuk i flasin njëri-tjetrit as me gojë, që nuk dijnë se çfarë shkruan kolegu i tyre. Meqë nuk ishte pra Lidhja kompakte, Dizdari e kapi fillin, atë ndjenjën e ftohtë që u kishte hyrë shkrimtarëve, aq sa deklaroi se menjëherë pas çatisë do të merrej me gjallërimin e Lidhjes.

Por, siç duket, edhe pse shkeli dy vite më parë statusin e OJQ-së, nuk ia doli, kështu që këtë vit pritet të rikandidojë.

Ndërsa debatet më të ethshme në këto dy vite kanë qenë në adresë të Lidhjes për karantinën e kalbur të drejtimit nga Dizdari. Që shkrimtarët e artistët prap nuk i flasin me gojë njëri-tjetrit. Kjo gjë u bë për kryetarin e Lidhjes, sa pati mandatin, aq e rëndësishme sa edhe fasada që ndryshoi ngjyrën e gëlqeres.

Por asnjëherë nuk u arrit të prekej pika e vlimit, ajo vatra xix, ku mund të çonte në turrë të druve shumë vepra shkrimtarësh që “mbijetuan” nga diktatura: hapja e dosjeve. Asnjëherë nuk shkoi ky debat në tryezë të Dizdarit, as nuk u përfill, se ndoshta deputetin e ndiqnin më shumë hallet e partisë. Dhe aq më shumë se kjo është një pikë që nuk po guxon njeri t’i hyjë, një frikë dhe sindromë kombëtare e dukshme në këto dy vite kur po diskutohet gati në mani nga dy krahët hapja e dosjeve.

Ndërsa shkrimtarët, këtej e andej kufirit, kanë sugjeruar se Lidhja nuk duhet të marrë asnjë grimë frymë pa hedhur këtë hap. Arkiva e Lidhjes ruhet me fanatizëm prej politikës. Kur sërish para dy vitesh u hodh një hap tjetër dështak, se Lidhjes për t’i ndryshuar imazhin, pas furçës së bojës, i duhej ndryshuar edhe emri. Të mos quhej Lidhje, se i ngjeth mishtë mjaft disidentëve. Për t’u treguar më e hapur u mblodh kryesia me goxha personalitete si Vath Koreshi, Perikli Çuli, Pjetër Arbnori (ku në çdo takim deklaronte se do jepte dorëheqjen dhe se nuk donte të përzihej në punët e Dizdarit), Arjan Leka, Hysen Sinani etj., për të bërë një platformë për ta kthyer OJQ-në e shkrimtarëve në një Akademi. Por dështoi ky debat që në krye, diku ngecte ky ndërrim “lëkure”, gjë që nuk mund të ndikonte në heqjen “e njollës”, e pastaj Dizdari të drejtonte i qetë. Sot nis Kuvendi i Lidhjes, që i përcaktoi vetë delegatët, e nga to do të nxjerrë anëtarët e rinj të Kryesisë së Lidhjes, të cilët nuk do ta kalojnë këtë herë shifrën shtatë. Rregull i ri, që duket pas një numri biblik, në dashtë “Lidhja” vetërrëfimin, hapjen e dosjeve të përfolura aq shumë, pikërisht aty ku ngecet ndershmëria letërsi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›