Telashet nuk sosen për Inzagin
18/02/2005 Duket se është një sezon i mallkuar për sulmuesin e Milanit, Filipo Inzagi, i cili sapo riaftësohet nga një dëmtim, përballet me një tjetër. Pasi ka sistemuar frakturën në dorë, Pipo Inzagi, po përballet me probleme në kaviljen e majtë, që megjithëse është operuar dy herë, akoma nuk është në rregull dhe i jep shqetësime sulmuesit. Ndryshe nga sa shpresohej, Inzagi nuk do të jetë i pranishëm as ndaj Kaljarit dhe as në Mançester për Ligën e Kampioneve, ndërkohë që synohet që lojtari të jetë gati për derbin kundër Interit. Në klubin kuqezi, tashmë nuk dinë çfarë të thonë, pasi dikush flet për kthim të makthit të vjetër e dikush tjetër e quan dëmtimin e tij rastësi, por e rëndësishme është që sulmuesi i Milanit është i detyruar ta shtyjë përsëri rikthimin në fushat e lojës, parashikuar për ditën e shtunë kundër Kaljarit. Përsëri është shfaqur problemi i vjetër në kaviljen e majtë, të cilën Inzagi e operoi në 28 prill të vitit të kaluar dhe më pas në 8 nëntor, duke e detyruar sulmuesin të qëndrojë për më shumë se një vit larg skuadrës. Vetë lojtari është dukur shumë i shqetësuar, por ka vazhduar të ndjekë programin e hartuar nga mjekët e Milanit, të cilët e kanë konsideruar problemin e ri, si një pasojë të mosaktivizimit të gjatë. Objektivi i “MilanLab”, është që lojtari të jetë gati për derbin, gjithmonë me kusht që dhembjet të zhduken sa më shpejt, ndërkohë që synimi kryesor i Pipo Inzagit, rikthimi për ndeshjen e së martës kundër Mançesterit, tashmë ka perënduar.