Mançester Junajtid, “baroni” i Botës
18/02/2005 Mançester Junajtid vazhdon të mbetet klubi më i pasur në botë, midis 20 skuadrave më të mira dhe ku pasuria e tyre llogaritet në 2 miliard stërlina (3.78 miliard dollarë). Kjo sipas një raporti të “Deloitte”. Me të ardhurat që kapin shifrën e 171.5 milion stërlina (323.8 milion dollarë), për sezonin 2003-2004, Mançester Junajtid mban vendin e parë për të tetin vit radhazi dhe kjo sipas raportit të Football Money League, publikuar nga konsulenca e Deloitte. Gjigandi spanjol Real Madrid vjen në vendin e dytë me 156.3 milion stërlina, pasi e përgjysmëoi diferencën vitin e kaluar, ndërsa në vend të tretë është kampioni i Italisë, Milan me 147.2 milion stërlina. Celësi i blerë nga manjati i naftës Roman Abramovich në korrikun e vitit 2003 dhe Barcelona, dy formacione këto që do të përballen në turin e dytë të ligës së kampioneve, atë me sistem nokauti, janë skuadrat me progresin më të madh në listën e klubeve më të pasur. Të dy klubet që do të takohen në mesjavën e ardhshme në Kamp Nou, kanë progresuar me gjashtë vende: Celësi në vendin e katërt me 143.7 milion stërlina dhe lideri i ligës së parë spanjole në vendin e shtatë me 112 milion stërlina. Celësi dështoi që të fitonte një trofe në vitin e parë të drejtimit të tij nga Abramovich, por me caktimin si trajner të Jose Mourinhos, që zëvendësoi Kaludio Ranierin në qershorin e kaluar, Celësi duket se do të njoh më në fund suksesin. Përveç vazhdimit të fushatës në Ligën e Kampioneve, Celësi kryeson ligën e parë angleze dhe skuadra londineze ka dalë në finalen e kupës së ligës së Anglisë, ku më 27 shkurt në stadiumin Millenium të Kardifit do të vihet përballë Liveprulit. Ndërkohë në këtë fundjavë, Celësi do të luajë me Njukasëll për turin e pestë të kupës së Anglisë. Juventusin ka zbritur në vendin e pestë me 142,4 milion stërlina, ndërsa në vendin e gjashtë është kampioni i Anglisë, Arsenal me 115 milion stërlina. Arsenal është pak përpara Barcelonës, kur kjo e fundit ka përfituar shumë nga rritja e fitimeve përmes transmetimit televiziv të ndeshjeve të saj. Në tre vendet e mbetura midis 10 skuadrave më të pasura të botës, janë Inter i Milanit në vendin e tetë me 110.3 milion stërlina, Bajern Munih në vendin e nëntë me 110.1 milion stërlina dhe Liverpul në vendin e 10-të me 92.3 milion stërlina. Bajern Mynih ka bërë zbritjen e madhe: vendi i pestë sezonin e kaluar.