Lidhja, në shërbim të "marrëzisë" së vetvetes
30/04/2005 Visar Zhiti denoncon me ashpërsi lidhjen aktuale të shkrimtarëve si edhe zgjedhjet për kryetarin e Lidhjes në kongresin "maratonë". Duke folur për "Metropol", Zhiti shprehet se nuk kishte asnjë njoftim në lidhje me këtë takim të fundit, "pasi njoftimet bëhen sponatanisht, pa asnjë organizim serioz, madje, edhe ky takim i fundit u zhvillua në sallën e Muzeut Kombëtar, ndoshta vendi më i mirë për shumë nga të pranishmit, fytyra muzeale, jo të gjalla". Për Zhitin gjithçka ngjan me një farsë, ku "disave u ka shkrepur të jenë kryetarë të shkrimtarëve, në një kohë që s'mund të jenë kryetarë të vetvetes. Ndoshta e vetmja arsye për të qenë kryetarë është përfitimi, sikundër rëndom ndodh në organizma të tillë, apo edhe për të shirë në institucionin e shkrimtarëve". Vetë Zhiti, në parim, nuk është kundër bashkimit të shkrimtarëve apo ekzistencën e një unioni të tyre, siç ka asociacione të tilla në të gjithë botën, "por jo si në Shqipëri, ku nuk kanë idenë se çfarë duan, apo ç'mision kanë. Në radhë të parë duhet që një organizëm i tillë dhe drejtuesit e tij, t'i japë popullit moral, dinjitet dhe ndershmëri. Nuk arrij të kuptoj apelin "kalorsiak" që bën Zyhdi Morava, i cili të kërkon firmën apo votën me çdo kusht, duke mos respektuar të drejtën e secilit për të votuar atë që dëshiron, njëkohësisht edhe një e drejtë minimale e cilitdo. Mesa duket, ato intriga që nuk i realizojnë dot në veprat e tyre, prej paaftësisë, përpiqen t'i realizojnë për kompensim në jetën e përditshme, duke marrë pamje bustesh". Sipas Zhitit, edhe ata shkrimtarë që kërkojnë të "tufëzohen" nuk janë ende gati, as moralisht, për të krijuar një lidhje ku mund të jenë vetvetja, pasi ata që kërkojnë të zgjidhen kryetarë, e bëjnë "pasi e shohin si një vend nga vetëm mund të përfitohet. Njëri u "ngul" nga partia dhe nuk do të shkulet. Ndërsa të tjerët kërkojnë të shkulin kryetarin aktual dhe të "ngulen" vetë aty, për të përfituar atë ç'ka mund të përfitohet". Zhiti shpreh bindjen se në gjendjen aktuale që ndodhet kjo lloj Lidhje, duhet të zhduket, në mënyrë që shkrimtarët të jenë të ndarë nga muzikantët, piktorët apo edhe artistët e tjerë, të cilët duhet të kenë organizatat e tyre dhe "ku mund të krijohet një forum i përbashkët, i cili të përcaktojë një strategji të përbashkët kombëtare, përsa i përket artit dhe kulturës në vendin tonë, për të mbrojtur kulturën që është krijuar në shkekuj, kulturën aktuale si edhe për të krijuar terrenin e përshtatshëm për kulturën e së ardhmes". Zhiti thekson me forcë faktin se, nëse në ekonomi, ushtri apo edhe në sfera të tjera, kulturën dhe artin "duhet ta bëjmë vetë, pa pritur të vijnë evropianë të na bëjnë poezinë apo romanin shqip. Pra, ne duhet të kuptojmë rëndësinë e vetvetes, peshën e vetvetes, vlerat që kemi, në mënyrë që t'i imponohemi shtetit, për t'i 'mësuar' atij se kultura e një vendi është identitet kombëtar dhe është shumë më e rëndësishme se vetë shtetarët. Por që të mbrosh kulturën e një vendi, duhet të mbrosh edhe njerëzit që e bëjnë atë". Shumë i ashpër është Zhiti edhe me krijuesit e rinj, duke shprehur bindjen se ata janë kundër Lidhjes, në të shumtën e rasteve, pasi nuk u hapen kollaj dyert, apo sepse duan "të rrëzojnë shkrimtarët e së kaluarës, për t'u zënë vendet. Pra kanë një koncept gladiatorësh për të hyrë në letërsi. Një 'strategji' shumë e rrezikshme dhe, pothuajse, e përbashkët, pasi i bashkon kompleksi i inferioritetit dhe jo dashuria për artin apo ata që e bëjnë atë". Duke vazhduar me të njëjtin ton të ashpër, Visar Zhiti beson se Lidhja aktuale, ose është në shërbim "të marrëzisë së vetvetes, të paktën në dukje, ajo që nuk duket është në shërbim të shtetit, i cili i ka shumë për zemër 'aktorë' të tillë, ku padyshim që ka edhe shkrimtarë të tjerë që mendojnë si unë, të cilët nuk ndodheshin në atë sallë muzeale". Duke shprehur keqardhjen për faktin se në atë sallë ndodheshin edhe emra të respektuar të artit dhe kulturës, të cilët nuk kishin bërë asnjë lëvizje për ndonjë "post", Zhiti i referohet edhe faktit se në atë sallë mungonin emrat më të njohur të letërisë shqiptare si Isamil Kadareja, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Kasem Trebeshina, Fatos Kongoli e shumë të tjerë.