E Hënë, 2 Nëntor 2026

Për bllokmenët një stallë lopësh me 150 krerë të racës “xhersi”

30/04/2005  Si u panë në Kongresin e X, drejtimi i Shqipërisë nën idetë e Hoxhës? Pas stazhit 40-vjeçar si anëtar partie, Dritëro Agolli gati u dëbua nga tribuna kur kritikoi Enver Hoxhën. Cili ishte fjalimi i shkrimtarit që kish drejtuar për vite Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë? Cila ishte kritika që iu bë dhe figurës pasuese të diktatorit, Ramiz Alisë? A pranoi Alia përgjegjësitë e udhëheqjes së Enverit? Cilat ishin vendimet për ndryshimin e strukturës së PPSH dhe ndërrimi i simboleve të saj, si shkëputje nga PKSH-ja? Si shpjegohet shmangia e lehtë e “gardës së vjetër”? Cilat ishin kushtet e jetesës dhe luksi në të cilën jetonin bllokmenët?

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot. Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX.

Shmangia krahasimisht e lehtë e “gardës së vjetër” nga ajo shoqërore e vendit shpjegohet me faktin se, paralelisht me përtëritjen e partisë u luftua dhe kundër privilegjeve të elitës partiako-shtetërore. Në Shqipëri si dhe çdo vend tjetër të “socializmit fitimtar”, qe krijuar një kastë e ngushtë e nomenklaturës, që jetonte sipas parimit komunist: “Secili sipas mundësive, secilit sipas nevojave”. Aftësitë e shumë prej 34 kryefamiljarëve që jetonin në lagjen qeveritare apo në “bllok”, ishin në nivelin mesatar, ndërsa kërkesat shumë më të mëdha. Ata jetonin mirë në bllokun e tyre në Tiranë dhe në “filialet” e tij nëpër qytete të tjera, të garantuar nga vendimi special i Byrosë Politike të 23 marsit të vitit 1976. Ata jetonin në “bllok” në klane familjare. Sipas të dhënave të gazetës “Zëri i Popullit”, në vilën e familjes Hoxha kishte 25 frigoriferë, 28 televizorë me ngjyra dhe manjetofonë. Në dispozicion të tyre kishte sera dhe një stallë lopësh me 150 krerë të racës “xhersi”, të njohura jo aq për rendimentin se sa për shijen e veçantë të qumështit të tyre.

Në fillim të vitit 1991 u vendos prishja e “bllokut”, shpërndarjen e familjeve nëpër apartamente të zakonshme. Ata e lanë parajsën e nomenklaturës pa dëshirë. Në mënyrë të veçantë kundërshtuan ata, që pak kohë më parë kishin ardhur nga klasa punëtore dhe fshatarësia punonjëse, si p.sh. anëtarja e Byrosë Politike, Lenka Çuko, e cila kishte këmbyer karrierën e kryetares së kooperativës bujqësore me kulltukun e drejtueses së politikës së kuadrit PPSH. Më 15 korrik u hoqën përfundimisht privilegjet dhe “blloku” u hap për të gjithë. Në fillim vilat u kthyen në banesa komuniale, ndërsa më pas (aty nga fundi i vitit 1999) ua lanë vendin ndërtesave shumëkatëshe. Mbeti vetëm vila e E.Hoxhës, që u përdor si shtëpi pritjesh. Skandalet lidhur me heqjen e privilegjeve të elitës së nomenklaturës, si dhe provësi i vështirë i ndarjes nga trashëgimia e “kultit të individit” të Hoxhës e vështirësuan seriozisht veprimtarinë e qeverisë së Ylli Bufit. Hija e zymtë e PPSH-së ra mbi PS-në, pavarësisht nga përpjekjet për t’u ndarë prej saj dhe për t’u marrë me problemet konkrete. Vendi ndodhej në një gjendje të rëndë ekonomike dhe të gjithë partitë ishin të një mendimi, se pa tërheqjen e kapitalit të huaj, nuk mund të bëhej as modernizimi i bazës materialo-teknike të industrisë e bujqësisë, as zhvillimi i infrastrukturës së turizmit, as mbushja e tregut me ushqime e mallra të nevojës së parë. Parulla popullore për domosdoshmërinë e integrimit në Evropë, u bë parulla e të gjitha partive e lëvizjeve.

Më 13 korrik, Bufi shpalli bazat e politikës së jashtme të kabinetit; stabilizimi i ekonomisë me ndihmën e perëndimit; integrimi i plotë në Evropë; pjesëmarrja aktive në OSBE, ku Shqipëria ishte pranuar anëtare me të drejta të plota në mbledhjen e Berlinit, më 18 korrik zgjerimi i bashkëpunimit shumëplanësh me vendet e Ballkanit dhe Adriatikut; thellimi i marrëdhënieve të gjithanshme me Turqinë, zhvillimi i marrëdhënieve miqësore me Greqinë, Bullgarinë e Rumaninë. Kryeministri theksoi interesin e veçantë për vendosjen dhe mbajtjen e marrëdhënieve të qëndrueshme politike me Jugosllavinë.

Qeveria mendonte se normalizimi i gjendjes së Shqipërisë mund të arrihej vetëm nëse punonjësit do të hiqnin dorë nga grevat e demonstratat, të cilat i sillnin dëm të madh ekonomisë popullore. Ndërkohë, deficiti buxhetor i trashëguar nga qeveria paraardhëse kishte arritur në 3.2 miliardë lekë, ndërsa deficiti i bilancit të pagesave në rreth 400 milionë dollarë dhe vazhdonin akoma të rriteshin.

Në verën e vitit 1991 u njoftua se në portet dhe në pikat e kufirit kishin mbetur sasi të konsiderueshme produktesh ushqimore (sheqer, vaj, oriz, miell, margarinë). Sistemi i shkatërruar i transportit nuk mund të përballonte evadimin e tyre. Partnerët e huaj, duke dyshuar se mallrat nuk arrinin te konsumatori, frenuan dërgesat. Nga mungesa e mjeteve të transportit dhe karburanteve mbetën pa u furnizuar me lëndë të para fabrikat e uzinat, që solli dhe rritjen e tensionit shoqëror.

Gjendja e brendshme, jo aq e qëndrueshme, shkaktoi alarm në perëndim. Në tërësi, rajoni i Ballkanit jo vetëm nuk qe qetësuar pas tronditjeve të viteve 1989-1999, por dhe ndodhej në kufijtë e një shpërthimi të ri. Qe forcuar procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe qe ashpërsuar gjendja në Kosovë, ku si pasojë e heqjes së statusit të krahinës dhe vënies në vartësi të plotë të Beogradit, filluan të krijoheshin organet shqiptare të pushtetit, paralele me ato serbe. Në Shqipëri, politikanët e huaj u bënë të shpeshtë.

Bejkeri në Tiranë

Fill pas ministrave të punëve të Jashtme të Italisë, Xhani de Mikelis e të RFGJ-së, H.F.Gensherit, më 22 korrik erdhi në Tiranë për vizitë njëditore sekretari i shtetit të SHBA-së Xh.Bejker, i cili e shfrytëzoi qëndrimin e tij në kryeqytetin shqiptar për të treguar parimet e marrëdhënieve mes Perëndimit dhe vendeve të Evropës Lindore. Ai uli disi shpresat e shqiptarëve për të marrë ndihma falas, vetëm duke deklaruar gatishmërinë për të kaluar menjëherë në ekonominë e tregut.

Kryerja e reformave rrënjësore në fushat sociale dhe ekonomike, demokratizimi i gjithanshëm, krijimi i kushteve për mundësinë e zhvillimit të plotë të ekonomisë së tregut, ndërtimi i shtetit të së drejtës-ja cilat ishin kushtet paraprake të bashkëpunimit të frutshëm e të përfshirjes së Shqipërisë në hapësirën evropiane, për të cilat foli Bejkeri në sheshin “Skënderbej” dhe në Kuvendin e Shqipërisë. Shqipëria duhej të plotësonte atë ç’ka kishte humbur në vitet e gjata të izolimit dhe perëndimi do ta mbështeste.

Pritja që iu bë Bejkerit në Shqipëri, siç u shpreh vetë ai, ishte fantastike. Atij iu dha titulli “Qytetar Nderi” të Tiranës dhe emri i tij iu vu një rruge në Elbasan. Pavarësisht nga njëfarë zhgënjimi prej shumës qesharake të ndihmës emergjente amerikane të premtuar prej tij (6 milionë dollarë), shtypi e vlerësoi vizitën e tij si një dëshmi tjetër e mbështetjes së Shqipërisë për të hyrë në bashkësinë evropiane.

Hapat e qeverisë Bufi në politikën e jashtme treguan largimin nga parimet e orientimit të Shqipërisë vetëm drejt një fuqie të madhe. Në korrik, Tiranën e vizitoi ministri i qeverisë franceze për problemet humanitare Bernar Kushner, e gjithashtu, një sërë figurash shtetërore rumune e maqedonase.

Ndërkohë, gjendja e brendshme e vendit vazhdonte të ishte e tensionuar. Në letër, në planet e në vendimet e qeverisë, gjithçka dukej plotësisht e mundur për t’u arritur. Ndryshimi i ekonomisë parashikonte kalimin e organizuar nga prona socialiste në atë private, nën kontrollin e rreptë të shtetit dhe përcaktimin e skemave dhe formave të privatizimit për 10-12 vitet e ardhshëm. Ekspertët e ekonomisë paralajmëronin se vetëm një përqasje shkencore e kontrolluar dhe jo një eksperiment me vlera të dyshimta, do të bënte të mundur të shmangej rrokullisja drejt “kapitalizmit të egër” në fazën fillestare të akumulimit. Por, në praktikë, gjithçka u zhvillua në të kundërtën. Bilanci paraprak i vitit 1991 dëshmoi rënien e prodhimit në 50%. Nëse në mars, F.Nano foli për një borxh të jashtëm prej 350 milionë dollarësh, në dhjetor ky borxh kishte arritur në 600 milionë. Liberalizimi i çmimeve solli inflacionin galopant, që arriti në 60%.

Në vend mbretëronte arbitrariteti juridik. Nëse gjyqi vendoste t’i kthente një pronë p.sh., një shtëpi një pronari të ligjshëm, qe e pamundur ta nxirrje atë që e kishte zënë ngaqë mungonin strukturat përkatëse zbatuese. Punonjësve të ndërmarrjeve shtetërore, të cilët mbeteshin pa punë për shkak të mungesës së lëndës së parë, u paguhej 80% e pagës. Dilte se edhe administratës, edhe punëtorëve u interesonte më shumë të merrnin paratë e pakta nga shteti, duke ndenjur, sesa të organizonin punën. Fryma parazitare përfshiu dhe vetë qeverinë, e cila shpresat për shëndoshjen e ekonomisë i kishte varur te ndihmat e jashtëzakonshme (apo humanitare) nga jashtë dhe kreditë e huaja. Lindi dhe u forcua dukuria e psikologjisë të shoqërisë në përgjithësi për të konsumuar. Sepse, edhe të ardhurat e shtetit vinin kryesisht jo nga prodhimi, por nga tregtia. Vendin e tregjeve të qytetëruar e kishin zënë pazaret e rrobave të vjetra, të rrangullave e të mallrave kontrabandë.

Në politikën bujqësore i përmbahej parimit të kthimit të tokës ish-pronarëve. Por zmadhimet dhe zvogëlimet e vazhdueshme të kooperativave, procesi i urbanizimit, zënia e tokës bujqësore nga ndërtimet industriale dhe rrugët, e bënin të vështirë kthimin dhe ndarjen e tokës. Në fund të vitit 1991, sipas statistikave zyrtare, ndarja e tokës ishte bërë në masën 51%. Për më tepër, kjo shifër mesatare u referohej treguesve të rretheve Elbasan e Përmet (rreth 90%) dhe Tropojë e Gjirokastër (përkatësisht 1,4 dhe 0%). Pronarët e rinj u përballën menjëherë me një sërë vështirësish: shuma e kredisë bankare e deklaruar nga shteti për periudhën kalimtare, nuk siguroi mjete të tepërta financiare dhe nuk mjaftonte materiali mbjellës. Shumë fshatarë qenë të detyruar t’i ktheheshin parmendës dhe veglave të tjera primitive të kohës së ekonomisë natyrore.

Si u ndanë pronat e kooperativës

Gjatë ndarjes së pronës kooperativiste pati përplasje nga pamundësia për t’i shpërndarë bagëtitë më drejtë si dhe kjo punë u la fare. Në jug të vendit, në bregdetin e Himarës, ku ullinjtë trashëgoheshin brez pas brezi në familje, traditat shekullore u prishën plotësisht. Ata qenë shoqërizuar në vitin 1948 dhe u shpërndanë në vitin 1991, por në mënyrë mekanike, midis të gjithë anëtarëve të kooperativës, duke përfshirë edhe ata që kishin hyrë në të kohët e fundit, pavarësisht në kishin qenë apo jo pronarë të tyre në të kaluarën.

Kultura e kultivimit të ullinjve dhe e nxjerrjes së vajit kishte ardhur në Shqipëri nga fqinjët grekë dhe italianë, që prej kohësh që s’mbaheshin mend dhe qe bërë një degë parësore e bujqësisë. Më 1953, qeveria shqiptare miratoi planin 15-vjeçar për zhvillimin e ullirit. Që nga fundi i viteve ‘60-të filloi fushata masive e aksioneve për t’i kthyer shpatet perëndimore dhe jugperëndimore të kodrave të bregdetit Adriatik e Jonian në ullishta. Tarracat e pafundme në formë harku, me radhët e drejta të drurëve të mbjellë, si t’u kishe vënë perin, mahnitën të huajt që vizituan Shqipërinë pas daljes nga izolimi. Por, po aq ata u habitën edhe nga bunkerët e panumërt të mëdhenj e të vegjël, të ndërtuar gjoja për të përballuar sulmin e Flotës së Gjashtë amerikane e të socialimperializmit sovjetik. Në vjeshtën e vitit 1991, edhe në plantacionet e vjetra, edhe në të rejat, pati një prodhim shumë të madh. Qeveria iu drejtua popullsisë për të ndihmuar në mbledhjen e tij. Dhe, atëherë filloi sulmi i turmave të paorganizuara për të grabitur, që thyen degët frutdhënëse, duke u sjellë një dëm të pandreqshëm, si drurëve shekullorë, edhe atyre që ishin fare të rinj.

Mpleksja e dhunës me plaçkitjet, që vërehej çdo herë kur në vend, apo në një pjesë të tij krijohshin situata të rënduara, favorizuan krijimin e një sindrome të dëmshme e të përhershme.

Shoqëria shkoi shpejt drejt degradimit. Papunësia masive do të bënte në mënyra të pashmangshme që popullsia e aftë për punë, ose të ikte jashtë vendit, ose të shndërrohej në rezervë të strukturave mafioze që po fuqizoheshin me shpejtësi. Vendi ishte zhytur në kaos dhe përherë e më shpesh njerëzit kujtonin me nostalgji: “Në kohën e Enverit kishte rend, kishte qetësi”.

Gjendja e jashtëzakonshme

Më 7 dhjetor të vitit 1991, me dekret të Këshillit të Ministrave u vendos de facto gjendja e jashtëzakonshme. Në dhjetor flitej, se meqë forcat e rendit nuk mund të siguronin ruajtjen e depove, magazinave, qendrave industriale e tregtare, furrave të bukës, elektrostacioneve, rezervuarëve dhe të objekteve të tjera, këtë detyrë qeveria do t’ia ngarkonte ushtrisë. Ky dekret qe akti i fundit i kabinetit Ylli Bufi në vargun e masave, të cilat duhej të ndihmonin daljen e vendit nga gjendja e krizës.

Më 29 nëntor, në takimin e presidentit me përfaqësuesit e pesë partive të koalicionit qeveritar, u arrit marrëveshja, sipas së cilës i jepet qeverisë një afat tremujor për të realizuar programin e veprimeve. Por, krejt papritur për të gjithë, në një konferencë shtypi, Sali Berisha deklaroi, se për shkak të refuzimit të PS-së për të pranuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ministrat, anëtarë të PD-së qenë të detyruar të largoheshin nga përbërja e qeverisë.

Zëvendëskryeministri Gramoz Pashko, anëtar i udhëheqjes së PD-së, që ndodhej në Londër për ceremoninë e pranimit të Shqipërisë në Bankën për Rindërtimin dhe Zhvillimin (BERZH), kritikoi hapin e Berishës. “Qeveria duhej të mbetet deri në zgjedhje me të njëjtën përbërje për të shmangur kaosin e anarkinë në vendin më të varfër të Evropës”, tha ai. Pashko shpresonte t’i bindte kolegët për drejtësinë e qëndrimit të tij, duke parathënë çarjen e partisë në rast të kundërt. Por, më pas, ai pranoi se dalja nga qeveria qe e drejtë, ngaqë socialistët nuk bënin lëshim. Sidoqoftë, lidhur me përçarjen e partisë, ai pati të drejtë.

Më 16 dhjetor, Y.Bufi dha dorëheqjen, ndërsa më 19 dhjetor gazetat njoftuan formimin e kabinetit të ri të ministrave, të kryesuar nga inxhinieri 40-vjeçar, Vilson Ahmeti, ish-ministër i ushqimit në qeverinë e mëparshme. Në kabinet hynë intelektualë pa parti dhe vetëm kryeministri dhe dy ministrat qenë anëtarë të PS-së. Qe pikërisht parimi i mosangazhimit partiak dhe jo profesionalizmi, kriteri mbi të cilin u ngrit qeveria, që për më tepër, u quajt qeveria e ekspertëve. Për ta thënë prerë, aftësitë për punë të ministrave kishin rëndësi të dorës së dytë, sepse detyra e tyre e vetme për periudhën e dimrit, ishte sigurimi minimal i rendit në vend, ndërsa përgatiteshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të fiksuara për më 22 mars të vitit 1992.

’90-‘92 vitet e anarkisë

Kur kriza qeveritare sapo kishte filluar, ministri i marrëdhënieve ekonomike, Ylli Xhabiri, parashikoi përsëritjen e makthit të dimrit të urisë 1990-1991. Mungesa e qëndrueshmërisë mund të pengonte marrjen e ndihmës humanitare (kryesisht nga Italia) dhe të kredive shtesë. Ishte vonuar furnizimi i negociuar më parë prej 150 mijë tonë qymyrguri, për të cilin vendi kishte nevojë, ndërsa në fillim të dhjetorit nga importi kishin ardhur vetëm 80 mijë tonë. Qeveria duhej të vazhdonte menjëherë bisedimet, këshilloi ministri, por ai iku bashkë me qeverinë.

Ndërkohë ndihma nga Tregu i Përbashkët dhe vende të veçanta vazhdonte të vinte. Në radhë të parë u furnizua popullsia e zonave veriore dhe verilindore. U dërgua oriz, sheqer, vaj vegjetal, miell. Kishte ditë kur në Portin e Durrësit shkarkoheshin deri në dhjetë anije tregtare. Por jo të gjitha ushqimet mbërrinin atje ku duhej. Pavarësisht nga kontrolli i rreptë, një pjesë do të dilte patjetër në tregun e zi. Udhëheqja e PS-së bëri përpjekje të mëdha për ta bindur popullin e veçanërisht perëndimin në aftësitë për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe për të siguruar zhvillimin e tij normal. Në artikujt “orientues” të botuar në shtypin e partisë, vërehej falimentimi i sistemit njëpartiak totalitar i shtetit dhe i ekonomisë së centralizuar. E ardhmja shihej në ecjen e Shqipërisë drejt demokratizimit, ekonomisë së tregut, e më pas, në integrimin në strukturat evropiane. Thirrja “Interesat e Shqipërisë mbi gjithçka!”, që doli në kolonën e parë të gazetës “Zëri i Popullit” të 24 dhjetorit, vinte në dukje përparësitë e unitetit kombëtar mbi interesat partiake, për hir të arritjes së këtij qëllimi. Por oponenti kryesor i PS-së, Sali Berisha, mendonte dhe vepronte ndryshe, duke hedhur poshtë çdo bashkëveprim me socialistët. Ai kishte dalë nga i njëjti mjedis si dhe Nano, por të drejtën për të patur pikëpamje evolucioniste ia njeh vetëm vetes, duke mbetur në thelb ithtar i po atyre mënyrave autoritare. PD-ja kishte marrë në mënyrë të qëndrueshme kryesimin e fushatës elektorale, duke shpresuar në mbështetjen jo vetëm të strukturave të saj partiake, por dhe të organeve të pushtetit ekzekutiv. Në shumicën e zonave administrative ajo kishte mundur të zinte pozita mbizotëruese. Vetëm në Tropojë, Kukës, Skrapar dhe Gramsh, shumica dërrmuese përkrahte PS-së, por edhe atje vërehej rënia e autoritetit të saj. Në fund të janarit qe qytetit të Tropojës. Përpara fillimit të takimit u bënë dy mitingje, i përkrahësve të Nanos dhe i kundërshtarëve, që hidhnin parulla antikomuniste. Si përfundim, kryetarit të socialistëve iu desh të braktiste makinën, sepse zunë ta qëllonin me gurë. Pak e nga pak PS-ja u tërhoq në pozita mbrojtëse. Madje, as krijimi i Partisë Komuniste të Shqipërisë, në shtator të vitit 1991 dhe as fillimi i procesit gjyqësor kundër përfaqësuesve të gardës së vjetër enveriane, midis së cilëve ishte edhe Nexhmie Hoxha, në janar të vitit 1992 nuk mundën ta bindnin opinionin shoqëror se midis PS-së dhe PPSH-së nuk kishte lidhje trashëgimie. Socialistët nuk arritën të hynin në Internacionalen Socialiste, që do të shënonte ndarjen e tyre përfundimtare me të kaluarën komuniste. Karrigen shqiptare të anëtarit të asociuar e zuri Partia Social-Demokrate, e krijuar në prill të vitit 1991, e cila kishte marrë rekomandimin e Partisë Social-Demokrate të Gjermanisë, e personalisht të Vili Brandit. Kryetar i PSD-së u bë profesor Skënder Gjinushi, i cili mbante postin e ministrit të Arsimit në një nga qeveritë e fundit komuniste. Fushata parazgjedhore nxori në dukje përparësitë e stilit të ri dinamik të drejtimit të agjitacionit të shfaqur nga Berisha. Si dhe në fushatën e parë, ai nuk i trembej auditorit masiv dhe premtonte se po të fitonte ndaj PS-së, do të miratonte Kushtetutën e re, do të rilindte industrinë dhe do të nxirrte fshatin nga varfëria. Duke përsëritur minutë pas minute bindjen, se vetëm pas largimit të komunistëve nga pushteti do të bëhej e mundur marrja e një ndihme të madhe nga perëndimi, ai shpalosi në stadiumin e Korçës një shou të përmasave të mëdha. Pasi shkroi në pjesën më të madhe të fjalimit se si do të hapeshin për shqiptarët “të gjitha dyert e Evropës”, ia dha fjalën ambasadorit amerikan, Uilson Rajersonit, i cili premtoi mbështetjen për Shqipërinë e re. PD-ja fitoi zgjedhjet. Sipas rezultateve të të dy raundeve, të 22 marsit e 29 marsit, demokratët morën 92 nga 140 vendet e parlamentit, socialistët 38, social-demokratët 7, republikanët 1 dhe Partia e të Drejtave të Njeriut 2. Vëzhguesit e huaj, të shumtë në numër, nuk vërejtën parregullsi thelbësore gjatë procesit zgjedhor, të cilat do të mund të ndikonin ndjeshëm në rezultatin përfundimtar. Kështu përfundoi periudha kohore nga dhjetori i vitit 1990 deri në marsin e vitit 1992, vite që u quajtën vitet e anarkisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›