E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bler, rikthim tek ekonomia

30/04/2005  Kryeministri largon debatin elektoral nga çështja e Irakut

“Sot, ne i rikthehemi zgjedhjes finale, me të cilën përballet vendi ynë – para ose pas, qeverinë laburiste, me një ekonomi të fortë, stabilitet ekonomik, ose kthim prapa me një qeveri konservatore që do të vërë në rrezik këtë stabilitet ekonomik”, u tha Bler gazetarëve dje

“Toni Bler dhe qeveria laburiste dërgoi Gordnonin dhe 86 ushtarë të tjerë britanikë, që të vdesin në një luftë që e dinin se ishte e paligjshme”, tha Rose Gentle, nëna e një ushtari të vrarë në Irak. “Tani unë do të hedh në gjyq qeverinë për vdekjen e tim biri në një luftë të paligjshme”

Kryeministri britanik, Toni Bler, u përpoq të largojë vëmendjen e debatit zgjedhor nga Iraku, duke iu rikthyer çështjeve të brendshme përpara zgjedhjeve të 5 majit, ndonëse një nënë, që humbi të birin në luftë, shpalli se do të hidhte në gjyq qeverinë.

Dy forcat kryesore të opozitës, konservatorët dhe liberaldemokratët, kanë përdorur polemikën dhe kontradiktat në lidhje me faktin që Bleri keqinformoi publikun përpara luftës, për të fituar pikë në garën elektorale. Por, kohët e fundit, duket se edhe ata janë përpjekur të përqendrohen në probleme të tjera, si ekonomie dhe spitalet, teksa fushata hyn në ditët e fundit.

Bler si dhe ministri i tij shumë popullor i Financave, Gordon Broun, zbuluan një poster në Londër, ku përqëndroheshin tek ekonomia dhe i cili me anë të shigjetave tregonte rrugën përpara me Laburistët, si dhe rrugën prapa me Konservatorët, duke shpallur: “Sabilitet ekonomik. Nëse e vlerësoni, votojeni”.

“Sot, ne i rikthehemi zgjedhjes finale, me të cilën përballet vendi ynë – para ose pas, qeverinë laburiste, me një ekonomi të fortë, stabilitet ekonomik, ose kthim prapa me një qeveri konservatore që do të vërë në rrezik këtë stabilitet ekonomik”, u tha Bler gazetarëve dje.

“Vetëm nëse populli do të na mbështesë ne, do të vazhdojë ekonomia e fortë me investime në shëndetësi dhe arsim”, tha ai.

Më pas, Kryeministri britanik tha se tashmë i takonte ppullit të zgjidhte, nëse dëshiron të zgjohet me një qeveri laburiste apo konservatore më 6 maj. I pyetur nëse ndihej nën trysni, Bler u përgjigj: “Jo, por mendoj se është shumë e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë se sa peshë ka zgjedhja e tyre tani”.

Shpallja e manifestit të partisë së Blerit, u eklipsua disi të enjten, nga polemikat që shpërthyen në lidhje me një tekst të një dokumenti të fshehtë, ku Bler merrte një këshillë në lidhje me ligjshmërinë e luftës në Irak, dokument që kish mundur të binte në duar të medias.

Më pas, Kryeministri publikoi dokumentin 13-faqesh, për t’i dhënë fund polemikave.

Por, ndërkohë që Bler përpiqej të largonte vëmendjen nga lufta e Irakut, Rose Gentle, biri i të cilës vdiq në luftë vitin e kaluar, deklaroi se do të ndërmerrte veprim ligjor kundër qeverisë, në vijim të botimit të këshillës së Kryeprokurorit Goldsmith.

“Im bir shkoi të vdesë në një luftë, të cilën Kryeprokurori e shihte si të paligjshme, pa një rezolutë të dytë të Kombeve të Bashkuara”, tha Gentle.

“Toni Bler dhe qeveria laburiste dërgoi Gordnonin dhe 86 ushtarë të tjerë britanikë që të vdesin në një luftë që e dinin se ishte e paligjshme”, tha ajo. “Tani unë do të hedh në gjyq qeverinë për vdekjen e tim biri në një luftë të paligjshme. Nuk jam një politikane e mjerë, që kërkon të mbledh pikë, por një nënë që kërkon drejtësi për të birin, i cili u vra duke shërbyer në Irak”.

Lufta në Irak e ka dëmtuar shumë kredibilitetin e Toni Blerit, ka larguar vëmendjen nga performanca e mirë ekonomike e qeverisë së tij dhe i ka dhënë shumë pikë konservatorëve në sondazhet e deritanishëm. Në një përpjekje për të sulmuar laburistët, kreu i konservatorëve, Majkëll Hauard, tha se ishte koha për t’u fokusuar në “problemet më të gjera”.

Përballë presionit

Udhëheqësit e tri partive kryesore në Britani kanë marrë pjesë në një debat televiz të drejtpërdrejtë, ku u janë përgjigjur pyetjeve nga publiku në studio dhe moderatori. Ky program, që u zhvillua një javë përpara zgjedhjeve të përgjithshme, u përqëndrua në çështjen e Irakut.

Programi ishte pranë stilit të debateve që zhvillohen në SHBA me rastin e zgjedhjeve presidenciale, por shumë i ndryshëm. Udhëheqësit e tri partive kryesore ishin në të njëjtën studio, përpara të njëjtit publik, por ata ishin të vendosur në mënyrë të atillë që të mos flisnin në të njëjtën kohë dhe përballë njëri-tjetrit. Një prej elementeve kryesore të debatit në SHBA - replika mes dy kandidatëve, - i mungoi debatit britanik.

Kryeministri Tony Blair nuk ka pranuar të paraqitet në një debat me udhëheqësit e tjerë duke thënë se nuk ka çfarë të fitojë. Megjithatë programi televiziv ishte një rast i veçantë pasi udhëheqësit u detyruan t'u përgjigjen pyetjeve të vështira nga publiku.

Zoti Blair u pyet disa herë lidhur me vendimin që mori për të shkuar në luftë para dy vjetësh.

Megjithë ndërhyrjet e shpeshta nga ana e publikut, gjatë përgjigjes së tij Kryeministri mbrojti vendimin për të shkuar në luftë. Udhëheqësi i Partisë Konservatore, Michael Hauard, që vuri në dyshim ndershmërinë e zotit Blair në procesin që përgatiti luftën, i çuditi dëgjuesit, kur tha se ai do të kishte shkuar në Irak edhe sikur ky vend të mos kishte armë të shkatërrimit në masë. Udhëheqësi i Liberaldemokratëve, Charles Kennedy, theksoi qëndrimin e tij kundër luftës dhe bëri thirrje për tërheqjen e trupave nga Iraku deri në fund të mandatit të OKB-së në dhjetor të këtij viti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›