E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidhja parësor-spital e ndryshkur, duhet rivitalizuar

 

Një mekanizëm i ndryshkur që duhet të rivitalizohet. Për Drejtorin e Qendrës Kombëtare të cilësisë dhe akreditimit të institucioneve shëndetësore, masat e reja që po ndërmerren kanë pikërisht këtë synim. “Lidhja e kujdesit parësor me atë spitalor është ngritur me kohë dhe është një mekanizëm i rëndësishëm. Ky mekanizëm prej vitesh është ndryshkur nga mosfunksionimi dhe synimi i asaj çka po ndërmerret së fundmi, që sistemit parësor(shërbimi nga poliklinikat) t’i jepet pesha e duhur. Ky sistem do të jetë jo vetëm porta e kontaktit të parë me pacientët, por do të shërbejë për të siguruar ndjekjen afatgjatë të të sëmurëve kronikë”, thotë Kalo. Sipas tij, në dy dekadat e fundit, kujdesi shëndetësor u fragmentarizua dhe humbi pesha e mjekut të familjes, e cila është shumë e rëndësishme. Me humbjen e këtij roli është krijuar një situatë nënvleftësuese ndaj  kujdesit parësor, argumentuar me dy pretendime. “Së pari, stafi i parësorit etiketohet si i pakualifikuar dhe së dyti, në poliklinika mungojnë pajisjet e duhura. Në këto kushte, masa e madhe e personelit shëndetësor të instaluar në kujdesin parësor nuk shfrytëzohet. Qendrat universitare, të cilat duhet ta parandalonin këtë, për fat të keq ndonjëherë kanë qenë nxitëse”, sqaron Kalo. Ai shton gjithashtu se me rikthimin e sistemit të referimit po synohet pikërisht të rritet shfrytëzimi i resurseve ekzistuese, duke sjellë kështu maksimalizimin e përfitimit shëndetësor. “Është pozitive që në të njëjtën linjë është edhe Instituti i Sigurimeve Shëndetësore. Pasi si blerësi i vetëm i shërbimit, do të jetë shumë më tepër e interesuar të minimizojë fluksin në spitale”, thekson Drejtori QKSCA. Megjithatë ai pohon se që të funksionojë e gjithë kjo, kërkohet një përpjekje serioze  për fuqizimin e kujdesit parësor, në mënyrë që zhbllokimi i situatës të kthehet në një mekanizëm. I pyetur nëse do të arrijnë të funksionojnë këto reforma, Kalo sqaron se reforma të kësaj natyre janë në themel të një sistemi të ri shëndetësor. “Ato janë bimë që po mbillen dhe bimët janë ato që i japin frytet pas njëfarë kohe. Pra duhet koha e duhur që ne të flasim për efektet e këtyre ndërhyrjeve. E rëndësishme është që jemi në drejtimin e duhur”, thotë Kalo. Sakaq, sa i përket edukimit të vazhdueshëm të mjekëve, ai pohon se vlera e diplomës pas 5 vjetësh zbehet, ndaj është domosdoshmëri që të aplikohet mekanizmi përkatës në këtë drejtim. “Padiskutim që forca që udhëheq një individ është pasioni. Ne kemi mjekë mjaft të kualifikuar, të cilët në sajë të tij kanë arritur në nivele shumë të larta. Po le të themi që janë 500 të tillë, në sistemin tonë shëndetësor ushtrojnë profesionin më shumë se 5000 bluza të bardha, ndaj nuk flitet vetëm në rang individësh”, sqaron Kalo. E ndërsa qendra që ai drejton do të vlerësojë kompetencën profesionale të institucioneve shëndetësore me anë të matjes së standardeve apo akreditimit në nivel individual, do të operojë një tjetër qendër në vartësi të Ministrisë së Shëndetësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›