E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thereska: Mjekët të angazhuar për mbarëvajtjen e reformave

 

“Rikthimi i sistemit të referimit është një gjë shumë pozitive. E shoh si një hap të rëndësishëm në përmirësimin e sistemit shëndetësor”. Kështu e komenton shefi i nefrologjisë, Nestor Thereska, reformën që po ndërmerret. Sipas tij, impenjimi nga stafi i mjekëve në këtë drejtim është maksimal dhe nuk ka asnjë motiv për kthim mbrapa në kohë. “Me menaxhimin e duhur sistemi i referimit mund të funksionojë siç duhet e do të lehtësojë mbi të gjitha shërbimet që janë tej mase të ngarkuara. Por edhe parë në këndvështrimin e pacientëve është diçka mjaft pozitive. Pasi nuk ka pse një qytetar, që fare mirë mund të marrë trajtimin e duhur në ambulancën e lagjes, të vijë në spital”, shprehet Thereska. Sipas tij, në këtë mënyrë vëmendja do të përqendrohet sa duhet tek ata pacientë që vërtet kanë nevojë për mjekët e spitalit. Ndërkaq sa i përket edukimit të vazhdueshëm të mjekëve, shefi i nefrologjisë në QSU pohon se vetëm me profesionistë që përqafojnë të rejat e shkencës dhe nuk ngelen pas në kohë, shëndetësia merr një hov të ri në tërësinë e saj. “Mjekët nuk duhet ta shohin në dëmin e tyre aplikimin e detyrueshëm të certifikimit, është në të mirë të tyre e pastaj në dobi të pacientëve. Një profesionist i mirë i merr gjithmonë frytet e punës së tij”, thekson shefi i nefrologjisë. Ai pohon se ka ikur koha që mjekët të dalin në pension vetëm me diplomën e shkollës së lartë. Mekanizmi i detyrueshëm i edukimit të vazhdueshëm i jep një tjetër rol përgjegjësisë personale. “Njerëz të pakualifikuar dhe pa nivelin e duhur të dijeve nuk duhet të jenë pjesë e shëndetësisë. Nëse në sektorët e tjerë koha pret, në sistemin tonë nuk ka më vend për të shtyrë reforma dhe kushte të kësaj natyre”, thotë Thereska. Sipas tij, janë masa që në vendet e tjera të botës janë kthyer në kulturë personale. “Nuk ka pse ne të mbetemi pas këtyre standardeve, aq më shumë kur na shërbejnë të gjithëve drejtpërdrejt apo indirekt”, thekson shefi i shërbimit të nefrologjisë në spitalin “Nënë Tereza”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›