E Shtunë, 31 Tetor 2026

Priftanji: Diploma e mjekut, e pamjaftueshme

 

Ka qenë pjesë e grupit të punës që ka vënë piketat mbi reformën e edukimit të vazhdueshëm të mjekëve. Për Dekanin e Fakultetit të Mjekësisë, aty ku prodhohen diplomat e mjekëve, vënia në zbatim e saj duhet të mbështetet. “Diploma universitare nuk mjafton për një kohë të gjatë, vlera e saj zbehet, ndaj edhe edukimi i vazhdueshëm i mjekëve përtej viteve të shkollimit është domosdoshmëri. Personalisht e shoh me një sy mjaft pozitiv”, shprehet Priftanji. Ai pohon se ka vite që po punohet në këtë drejtim dhe normalisht ka ardhur momenti që gjithçka të vihet në zbatim. “Unë kam qenë pjesë e grupit të punës dhe kësaj iniciative i është dhënë jo pak prioritet, është normale pasi në këtë drejtim sistemi ka çaluar”, thotë dekani. Sa i përket shtrëngimit të rregullave që në fakultet, ai nuk tërhiqet aspak nga rregullat e vendosura për mbartjen e provimeve. Pavarësisht kundërshtisë dhe protestave të studentëve sapo u hap viti akademik, asgjë nuk do të ndryshojë. Nëse studenti ka tre provime të mbartura nga viti i parë dhe i dytë, ai kalon në stazh. Studentët kanë deklaruar se do të bojkotojnë mësimin. Vetë Priftanji shmang komentet për këtë çështje, por burime të sigurta brenda fakultetit bëjnë me dije se nuk do të ketë ndryshime në rregullore. Kjo, pasi sipas tyre është e patolerueshme që kur në Fakultetin e Mjekësisë pranohen vetëm maturantët me mesataren më të larë, të diskutohen provimet e mbartura. Nga ana e tyre studentët kanë kërkuar që të aplikohet e njëjta skemë si me vitet e mëparshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›