Pacientët të pamësuar me rekomandimet e mjekëve të familjes
zirina llambro
Zbatimi i sistemit të referimit dhe edukimi i vazhdueshëm i mjekëve. Dy prej shtyllave më të dobëta të shëndetësisë shqiptare.
E para madje e shembur krejt në 20 vitet e fundit, ndërsa e dyta e lënë në dorë të secilit profesionist që mban bluzën e bardhë. Pasojat: Dyndje në spitale dhe plot mjekë të paaftë. Për rrjedhojë, mbingarkesë e kotë për specialistët dhe trajtim jo i mirë i të sëmurëve. Përtej deklaratave të kahershme për një luftë të paparë kundër korrupsionit, kësaj here ndërhyrja duhej të niste këtu. Sepse veç plagës së madhe të parave nën dorë në spitale, sistemi çalon nga themelet. E nëse ato kalben keqazi, atëherë çdo arnim tjetër do të ishte i pavlerë. Që prej disa javësh në spitalin “Nënë Tereza” po ndjehet një frymë e re të punuari. Urdhri i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë ka nisur të vihet më mirë nga sa pritej në zbatim. Asnjë pacient nuk pranohet të kryejë vizita pa rekomandimin e mjekut të familjes. Të pamësuar me rregulla të tilla, qytetarët vijojnë sërish të zbarkojnë në dyert e QSU edhe për shqetësimin më të vogël. U duhet të kthehen mbrapsht. Ndonëse ende të pamësuar me këtë rregull, nuk kanë asnjë alternativë tjetër. Duhet ta nisin nga ambulancat e lagjeve, te poliklinikat e specialiteteve dhe pastaj nëse mjekët atje e shohin të domosdoshme të rikthehen në spitalin “Nënë Tereza”. Ka nga ata që nuk arrijnë ende të kuptojnë se për të marrë shërbim shëndetësor në QSU nuk mjafton vetëm të zësh radhën që në shtatë të mëngjesit përpara derës së shefit të shërbimit. Por pavarësisht kësaj “rezistence”, shumëçka ka nisur të lëvizë. Kush kërkon me ngulm të vizitohet nga stafi i mjekëve të spitalit më të madh në vend duhet të paguajë faturën e kripur. Tarifat për ata që nuk kanë rekomandim të mjekut të familjes variojnë nga 2000-4000 lekë vetëm për vizitën. Sa i përket edukimit të vazhdueshëm të mjekëve, nga sa ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë, certifikimi i tyre do të nisë vitin që vjen. Bluzat e bardha duhet të grumbullojnë për një hark kohor prej 5 vitesh kreditet e nevojshme me të cilat justifikojnë se nuk kanë mbetur vend numëro. Deri tani janë mjaftuar vetëm me diplomën. Por për krerët e shëndetësisë ka ardhur koha që ajo të mos jetë matësi i profesionalizmit.