“Lidhjet e shumëfishta me regjimin komunist pengojnë Edi Ramën t’i bashkohet nismës për hapjen e dosjeve”

Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi flet për Ligjin e Lustracionit
TIRANE - Demokratët i konsideruan apelet e fundit të socialistëve për pezullimin e ligjit për dosjet si vazhdim i fobisë për tu ndarë nga e kaluara kriminale komuniste. Zëdhënësi i grupit të deputeteve të Partisë Demokratike Aldo Bumçi akuzoi lidershipin socialist se ende nuk është ndarë nga nomenklatura e diktaturës më gjakatare në ish-bllokun lindor. “Janë lidhjet e shumta me regjimin komunist, me historitë e tij antinjerëzore, arkivat dhe dosjet e së kaluarës që e mbajnë peng sot PS dhe kryetarin e saj. Nuk ka asnjë moral njerëzor që të justifikojë këtë qëndrim të turpshëm të PS dhe kryetari te saj ndaj historisë së diktaturës më çnjerëzorë në kontinentin evropian ku u dënuan me varje, u pushkatuan ose vdiqën në tortura rreth 5 mijë shqiptarë, u burgosën rreth 16 mijë të tjerë dhe u internuan me dhjetëra mijëra duke shkatërruar kështu me dhjetëra jetë njerëzore”, theksoi Bumçi.
Deputeti demokrat shprehu në emër të gjithë deputetëve demokratë vendosmërinë se asgjë nuk do ta ndalë ligjin e lustracionit.
“Asgjë nuk do ta pengojë Shqipërinë të arrijë këtë standard moral kaq të nevojshëm, që të distancohet nga krimet e komunizmit. Populli shqiptar nuk ka asnjë arsye morale dhe historike që të mos jetë i barabartë me polakët, çekët, hungarezët dhe popujt e tjerë të Evropës Lindore që i dënuan krimet e komunizmit dhe u distancuan prej tij”, nënvizoi Aldo Bumçi.