E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH – Aktiviteti ekonomik i vitit 2008 është zhvilluar në linjë me trajektoren e programuar të fillimvitit

Aktiviteti ekonomik i vitit 2008 është zhvilluar në linjë me trajektoren e programuar të fillimvitit, u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në takimin rajonal të zhvilluar dje, në qarkun e Korçës.  "Aktiviteti ekonomik në vend është mbështetur në burimet e brendshme të financimit", theksoi Guvernatori. Sipas zyrës së shtypit të BSH, Fullani informoi se "gjashtëmujori i dytë i vitit 2008, regjistroi kthimin e inflacionit brenda intervalit të synuar të politikës monetare prej 2-4 për qind. Qetësimi i goditjeve të ofertës si dhe kushtet e përshtatshme monetare, vlerësohen të kenë qenë faktorët kyç që kanë mundësuar balancimin e faktorëve të kërkesës dhe ofertës. Gjatë vitit 2008, norma bazë e interesit është mbajtur e pandryshuar, në nivelin 6,25 për qind, duke synuar dhe materializuar ankorimin e pritjeve për inflacionin të agjentëve ekonomikë, pranë nivelit 3 për qind të synuar nga Banka e Shqipërisë", vuri në dukje ai. Në fund të muajit janar 2009, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë përqindjen bazë të interesit me 50 pikë të përqindjes, duke shënuar një moment kthese në kahun e politikës monetare në drejtim të lehtësimit të saj. Z. Fullani theksoi në fund te takimit se "jemi në një proces të vazhdueshëm komunikimi me bankat që të garantojmë se gjatë vitit 2009, ekonomia shqiptare do të marrë mbështetjen e merituar financiare të sistemit bankar".

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›