PS e gatshme për një variant kushtetues dhe evropian të ligjit të lustratcionit
Partia Socialiste u shpreh e gatshme që të japë një variant kushtetues dhe europian për ligjin e Lustracionit, që të ketë në themel parimet dhe kriteret e Këshillit të Europës dhe i bëri thirrje mazhorancës, që të dëgjojë kritikat dhe kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë. Kryetarja e Grupit Kuvendor Socilasit, Valentina Leskaj, tha sot gjatë një konference për shtyp se, "i bëjmë thirrje mazhorancës që të dëgjojnë kritikat dhe kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë si dhe të respektojë Gjykatën Kushtetuese me atributet që i jep ligji”. Përfaqësuesja e Selisë Rozë, Valentina Leskaj, shtoi më tej se, “mazhoranca duhet të reflektojë ndaj opozitës dhe ne jemi gati të japim një variant kushtetues dhe europian, që ka në themel parimet dhe kriteret e Këshillit të Europës, e ta votojmë atë jo duke turpëruar, por duke nderuar Shqipërinë”. Dje, Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli pas takimit me përfaqësues të OSBE-së për krijimin e një database elektronik në Kuvend, tha se, “fakti që vëmendja është tek ky ligj i veçantë, që lidhet me një kufizim për një periudhe të shkurtër të së drejtës "për punësim" për disa persona, që kanë vrarë në kundërshtim me ligjet e të drejtave të njeriut, është një gjë që mua më bën të mendoj absolutisht anën pozitive të ecjes së Shqipërisë”. Ligji i Dosjeve, ose i njohur ndryshe si ligji i Lustracionit, u miratua më 22 dhjetor në Kuvendin e Shqipërisë me 74 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim. Disa ditë më vonë, më 30 janar, PS ankimoi në Gjykatën Kushtetuese këtë ligj, duke e cilësuar si “antikushtetues”.
...