E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidhjet shqiptare të bosit turk të drogës, që kërkohet nga Gjermania

Procesi i vitit 1999 në Turqi, që arrestoi Abdulselam Turgut me katër shqiptarë të akuzuar për trafik heroine, u mbyll me dënimin e futbollistit me origjinë shqiptare. Ish-ortaku i tij, “Roni” i Shijakut, u dënua nga Krimet e Rënda për trafikimin e 450 kg heroinë në Itali

Tiranë Një proces gjyqësor i vitit 1999 zbulon arsyen e vizitave të shpeshta në Shqipëri të turkut 44-vjeçar, të cilin Gjermania e etiketon si një ndër trafikantët më të mëdhenj të heroinës në Europë. Asokohe Abdulselam Turgut u përfshi në një proces gjyqësor shqiptarësh në Turqi, të cilët akuzoheshin se luanin “fijet” e trafikut të heroinës që kalonte tranzit nga territori shqiptar drejt Italisë. Sipas gazetës turke “Hyrriet”, procesi gjyqësor nisi pas arrestimit me 27 kg heroinë të një futbollisti me origjinë shqiptare, i cili u dënua më pas me mbi 15 vjet burg. Gjatë kontrolleve të policisë turke, u zbuluan edhe 30 kilogramë të tjera heroinë, për të cilat u çua në pranga 44-vjeçari Turgut, së bashku me Hekuran Hoxhën, i njohur me pseudonimin Roni, Xhemail Pasmaçiun e Fatmir Sofinë. Sipas hetimit të vitit 1999, Abdulselam Turgut dhe grupi i shqiptarëve kishin planifikuar të trafikonin heroinën drejt Shqipërisë, brenda një kamioni me patate, por arrestimi i futbollistit hodhi në erë planin e tyre. I vetmi i dënuar në këtë proces ishte futbollisti me origjinë shqiptare, i cili mori përsipër trafikun e heroinës, duke shfajësuar të akuzuarit e tjerë.

***

Kjo histori e 12 viteve më parë në Turqi tregon natyrën e lidhjeve të 44-vjeçarit turk Abdulselam Turgut me Shqipërinë, të cilat duket se vazhdojnë të jenë të forta sot e kësaj dite. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë me dije për MAPO-n se turku i shpallur në kërkim nga Gjermania kishte vizituar disa herë Shqipërinë, edhe gjatë kohëve të fundit. Nga ana tjetër, njëri prej të arrestuarve me të, në vitin 1999 në Turqi, është një personazh mjaft i njohur në botën e narkotrafikut shqiptar. Hekuran Hoxha, i njohur në skedarët e policisë shqiptare dhe italiane si “Roni”, është arrestuar në shtator të vitit 2008 si kreu i bandës së Shijakut. Miku i hershëm shqiptar i Abdulselam Turgut u hetua nga Prokuroria e Milanos, e cila përmes përgjimeve dhe hetimeve të tjera kishte zbuluar se banda e Hekuran Hoxhës kishte trafikuar rreth 450 kilogramë heroinë në Itali. Kulmin e trafikut të drogës ky rrjet duket se e ka pasur në vitet 2003-2004, kohë kur policia italiane kishte bllokuar disa kamionë me drogë, të cilët kishin kaluar nga porti i Durrësit. Pjesë e këtij grupi ishte edhe Lutfi Shabani, i njohur më së shumti si “Ben Çami”, ndërsa rruga e heroinës zinte fill në Turqi.

***

Turqi-Bullgari-Maqedoni-Kosovë-Shqipëri. Linja e kahershme e trafikut të heroinës, e rrahur edhe nga të arrestuarit e grupit të Shijakut, për sasinë më të madhe të heroinës së eksportuar në Itali, i bën hetuesit të dyshojnë se grupi i vjetër, i hetuar në vitin 1999 në Turqi, vazhdon të ruajë lidhjet. Të paktën, në këtë “hulli” të çon arrestimi i turkut të kërkuar nga drejtësia gjermane, në një nga udhëtimet rutinë të tij në Shqipëri. Pas vendimit të gjykatës së Apelit, që liroi Turgut nga burgu, ky i fundit mendohet se qëndron në një banesë të marrë me qira në Kamëz.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›