Kontrabanda, 50 mijë tonë virxhin e shitur më 2007-2009
Tiranë Skema e abuzimit me naftën virxhin merr përmasa më të mëdha, pas të dhënave të siguruara së fundmi nga Prokuroria, se “në lojë” janë më shumë se 50 mijë tonë të prodhuara përgjatë viteve 2007-2009. Një grup prej tre ekspertësh, të caktuar nga Prokuroria për përcaktimin e sasisë së naftës virxhin që është shitur përgjatë këtyre viteve ka mundur të faktojë shitjen e sasisë së konsiderueshme të naftës virxhin. Analizimi i të dhënave mbi shitjet e këtij nënprodukti të naftës bruto, krahasuar me librat e blerjes së kompanisë “Euroil”, deri tani tregojnë se pjesa më e madhe e sasisë prej rreth 50 mijë tonë virxhin është blerë nga kjo kompani, e cila duket se kishte siguruar “monopolin” në tregun e këtij produkti. Sasia prej 50 mijë tonë është prodhuar ndër vite nga rafinimi i naftës bruto, ndërsa më pas i shitej kompanisë në pronësi të biznesmenit Hajri Elezaj, me çmime të ndryshme. Evidencat e 6-mujorit të parë të vitit 2009 tregojnë se sasia prej 17 mijë tonë virxhin është blerë me 50 lekë litri, ndërsa më parë çmimi ka qenë i ndryshëm. Sipas Prokurorisë, është zbuluar fakti se gjatë periudhës gati 3-vjeçare nga rafineria e naftës në Ballsh kanë blerë naftë virxhin vetëm dy kompani private, njëra prej të cilave një sasi shumë të vogël krahasuar me të dhënat që ndodhen në librat e shitjes së kompanisë “Euroil”. Sipas Prokurorisë, rezulton se veç kompanisë “Euroil” në tregun e naftës virxhin ka qenë edhe një kompani tjetër që operon të fushën e hidrokarbureve. Edhe pse sasia e naftës virxhin, e blerë nga kjo kompani e dytë është tepër e vogël, Prokuroria thotë se ky fakt nuk e përjashton atë nga verifikimi që po kryhet për çështjen në tërësi. Sipas librave të shitjes së kompanisë “Armo”, rezulton se kompania e dytë që ka mundur të futet në tregun e virxhinit ka bërë një blerje në vitin 2007, me qëllim eksportin e saj drejt Malit të Zi. Deklaratat doganore tregojnë se gjithë sasia e naftës është eksportuar me tren, ndërsa Prokuroria ka dërguar letër-porosi për të konfirmuar nëse kjo sasi ka mbërritur ose jo në destinacion. E njëjta procedurë është ndjekur edhe për eksportet e kryera nga kompania “Euroil” në të paktën 6 vende, përshi Turqinë, Serbinë, Italinë dhe Irlandën. Në të gjitha rastet që tregojnë eksportin e virxhinit në këto vende, sipas grupit hetimor, është kërkuar konfirmimi me anë të letër-porosisë. Deri tani, Prokuroria ka mundur të provojë se nga gjithë sasia e blerë me qëllim eksporti, 17 mijë tonë nuk janë eksportuar realisht, por vetëm me dokumente, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Në këtë skemë kompania që dyshohet se ka kryer abuzimet me naftën virxhin është mbështetur me mjete dhe njerëz nga kompania tjetër, e njohur në fushën e hidrokarbureve, “Fisheku”, me pronar biznesmenin Iljaz Fisheku, i cili ndodhet në qeli për akuzën e “mashtrimit me pasoja të rënda”. Për të konfirmuar nëse sasia prej rreth 33 mijë tonë virxhin është eksportuar ose jo realisht, Prokuroria e Tiranës është në pritje të letër-porosive nga të paktën 7 vende. Në varësi të përgjigjeve të tyre, do të kryhen edhe hapat e mëtejshëm të procesit të hetimit, i cili tashmë është përqendruar edhe në evidentimin e pasurive që mund të jenë vënë nga mashtrimi i konsumatorëve me naftën virxhin.