Vendimi “sekret” i Apelit, ja si u lirua trafikanti turk i 1 ton heroine
Tiranë Drejtësia shqiptare është përshirë në një skandal, që mund t’u kushtojë shumë, të paktën marrëdhënieve mes autoriteteve të drejtësisë shqiptare dhe atyre gjermane. Pak ditë më parë Gjykata e Apelit në Tiranë ka liruar nga qelia një shtetas turk, të kërkuar nga drejtësia gjermane për trafikimin e 1 ton heroine. Lajmi i lirimit të 44-vjeçarit Abdulselam Turgut, njësoj si arrestimi i tij, është mbajtur i fshehtë nga organet kompetente, të cilat argumentojnë se personazhi në fjalë kishte një rëndësi të veçantë, pasi cilësohej si një ndër trafikantët më të mëdhenj të heroinës në Europë. Madje, autoritetet gjermane të drejtësisë kanë shfaqur interes të vazhdueshëm për këtë çështje, duke mbajtur kontakte të rregullta me homologët shqiptarë. Vetëm pak ditë para lirimit të tij nga Gjykata e Apelit, autoritetet gjermane kanë njoftuar përgatitjen dhe dërgimin e dosjes me qëllim ekstradimin e 44-vjeçarit në Gjermani, ku dyshohet se ka trafikuar 1 ton heroinë në harkun kohor të dy viteve. Por gjithçka ndryshoi në Gjykatën e Apelit, ku trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Gjin Gjoni, Hysni Demiraj dhe Agron Papajani, vendosën të ndryshojnë masën e sigurisë ndaj shtetasit turk, i cili kishte udhëtime të vazhdueshme në Shqipëri. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se shkak për lirimin e Abdulselam Turgut është bërë një raport mjekësor që familjarët e tij kanë sjellë nga Turqia. Sipas kartelës së protokolluar edhe nga konsullata në Turqi, rezulton se 44-vjeçari vuante prej kohësh nga zemra, ndërsa avokatët e tij mbrojtës kanë argumentuar se qëndrimi i tij në qeli mund t’i rrezikonte jetën për shkak të shëndetit të përkeqësuar. Kartelës në fjalë i është bashkëngjitur edhe një kontratë qiraje për një banesë në Kamëz, ku 44-vjeçari Turgut pretendonte se jetonte. Kaq ka mjaftuar që Gjykata e Apelit të ndryshojë vendimin e shkallës së parë, duke caktuar ndaj shtetasit turk masën e sigurisë “arrest shtëpie”, edhe pse autoritetet shqiptare kishin marrë konfirmimin se dosja për ekstradimin e tij do të mbërrinte brenda afatit në Shqipëri. Abdulselam Turgut u arrestua në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, më 18 shkurt. Vetëm pak kohë më parë, autoriteteve shqiptare u kishte mbërritur një urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj Turgut-it, i cili dyshohet se është kreu i një rrjeti, të cilit i janë kapur plot 1 ton heroinë në Gjermani. Lajmi i arrestimit të tij është mbajtur i fshehtë për mediat, me pretendimin se gjithçka ka qenë sekrete për shkak të rëndësisë së të arrestuarit, i cili mund të konsiderohet si një nga trafikantët më të mëdhenj të heroinës në Europë. Vetëm tri ditë pas arrestimit të tij, më 21 shkurt, Gjykata e Tiranës cakton masën e sigurisë “arrest me burg” për 40 ditë, duke u lënë kështu autoriteteve gjermane kohën e mjaftueshme për të përgatitur dhe dërguar në Shqipëri dosjen me qëllim ekstradimi e 44-vjeçarit Turgut. Por Gjykata e Apelit nuk ka pasur të njëjtin mendim si Gjykata e Shkallës së Parë, duke ndryshuar masën e sigurisë edhe pse i arrestuari konsiderohet nga drejtësia gjermane si njeri mjaft i rrezikshëm me lidhje të hershme në botën e trafiqeve të drogës. Sipas informacioneve të Prokurorisë, rezulton se Abdulselam Turgut kishte udhëtime të shpeshta drejt Shqipërisë, ku dyshohet se mund të ketë krijuar lidhje me qëllim trafikimin e heroinës që vinte nga Turqia. Deri tani, organet e specializuara kanë mundur të sigurojnë informacione për lidhjet e 44-vjeçarit turk me disa shtetas shqiptarë, por nuk mund të konfirmohet nëse qëllimi i vizitave të shpeshta në Shqipëri ka qenë organizimi i trafikut të heroinës.
Vendimi i Apelit revolton autoritetet gjermane
Pas lirimit të 44-vjeçarit Abdulselam Turgut, autoritetet gjermane të drejtësisë kanë përcjellë në Tiranë zhgënjimin e tyre
Tiranë Menjëherë pas lirimit të 44-vjeçarit turk nga Gjykata e Apelit, të parët që kanë reaguar kanë qenë autoritetet gjermane. Edhe pse jo në kanale publike, Gjermania u ka përcjellë autoriteteve të drejtësisë shqiptare shqetësimin për çështjen, i cili ka qenë gati në nivel alarmant. Burime të rezervuara thanë se nga dita e lirimit të Abdulselam Turgut, autoritetet e drejtësisë gjermane kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me homologët shqiptarë, duke shprehur kështu jo vetëm shqetësim, por edhe mungesë besimi te sistemi ynë i drejtësisë. Një zyrtar i lartë në Prokurorinë e Përgjithshme tha se ky reagim i ardhur në mënyrë informale pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim, ndërsa ende nuk dihet qëndrimi zyrtar i autoriteteve gjermane të drejtësisë. Ajo që është e sigurt, është fakti se vendimi i Gjykatë së Apelit i ka dhënë një goditje të fortë marrëdhënieve dhe bashkëpunimit që autoritetet e dy vendeve kanë pasur në vijimësi, kryesisht me çështje që kanë interes të përbashkët. Por lirimi i shtetasit turk, të kërkuar për trafikun e sasisë prej 1 ton heroinë, sipas burimeve mund të jetë arsye e mjaftueshme që marrëdhëniet Shqipëri-Gjermani të cenohen edhe në nivele më të larta se thjesht bashkëpunimi i autoriteteve të drejtësisë të të dy vendeve. “Bashkëpunimi me autoritetet gjermane do të tronditet dhe cenohet rëndë, pasi është rasti i dytë kur drejtësia shqiptare nuk është treguar objektive. Ky vendim mund të cenojë shumë imazhin e Shqipërisë dhe veçanërisht atë të drejtësisë”- tha një zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas informacionit të marrë nga homologët gjermanë, rezulton se i njëjti shqetësim, edhe pse në nota më të ulëta, është marrë edhe në rastin e lirimit të një të dyshuari si bashkëpunëtor në trafikun e 40 kilogramë heroinë. Operacioni që vuri në pranga edhe tre shtetas gjermanë, fillimisht u cilësua si mjaft i suksesshëm, por vetëm pak kohë më parë Gjykata e Lartë liroi nga qelia një prej të arrestuarve, duke mbajtur në burg tre shtetasit gjermanë, dy prej tyre të moshuar. Burimet thanë se deri tani ka vetëm sinjale në kanale homologe, që tregojnë shqetësimin e autoriteteve gjermane, por qëndrimi i tyre do të shprehet në ditët në vijim, kur pritet që reagimi zyrtar t’u përcillet autoriteteve të drejtësisë shqiptare. L.Bakillari
Lirimi i turkut, KLD “zbarkon” në Apel
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur një inspektim në Gjykatën e Apelit për vendimin që liroi nga burgu të kërkuarin nga Gjermania
Tiranë Ankesa e Prokurorisë dhe reagimet negative, pas lirimit të 44-vjeçarit turk, kanë detyruar Këshillin e Lartë të Drejtësisë të nisë një inspektim në Gjykatën e Apelit. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga burime zyrtare pranë KLD-së, të cilat thanë se, menjëherë sapo është njohur me këtë pretendim, inspektorët e qeverisë së gjyqësorit kanë zbarkuar në Gjykatën e Apelit, ku kanë nisur kontrollet për disa çështje, përfshi edhe lirimin e shtetasit turk Abdulselam Turgut. Fillimisht, inspektorët e KLD-së kanë administruar vendimin nr. 145 të Gjykatës së Apelit, për të parë arsyetimin dhe provat e paraqitura nga akuzat në dosjen gjyqësore. Por në vëmendje të inspektorëve të KLD-së ka qenë edhe rasti i lirimit të italianit Italo Xhigande, i cili kërkohej nga autoritetet belge për abuzime me fondet e Këshillit të Europës, por që është liruar nga Gjykata e Apelit. Rastësia e deshi, që njëlloj si në rastin e Xhigandes, edhe në ndryshimin e masës së sigurisë së shtetasit turk, vendimi është marrë nga i njëjti trup gjykues. Burimet thanë se inspektorët e KLD-së do të verifikojnë të gjitha rastet për të cilat ka pasur ankesa nga palët, por në fokus të inspektimit mbetet vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit, që ndryshoi masën e sigurisë së shtetasit turk, të kërkuar nga drejtësia gjermane për trafikimin e 1 ton heroinë.