E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lieberman: Kujdes sistemin financiar, tregohuni konservatorë!

TIRANE-Zv/Kryeministri i jashtëm i Izraelit dhe njëkohësisht Ministri i Jashtëm i këtij vendi, Avigdor Lieberman u shpreh sot se Shqipëria duhet të tregojë kujdes me sistemin e saj financiar.
“Ju duhet të jeni shumë të kujdesshëm me sistemin tuaj financiar, duhet të jeni shumë konservatorë për tregun financiar, do mund të sillni novacione në fusha të tjera, por duhet të tregoheni konservatorë në këtë drejtim (sistemin financiar) për stabilitetin e ekonomisë”.

Në nje dalje te sotme për shtyp në Tiranë në forumin e biznesit Shqipëri-Izrael, Lieberman u shpreh se Shqipëria duket vend tërheqës për investime, duke mbështetur kështu kërkesën e kreut të qeverisë shqiptare, që Izraeli të shohë mundësitë të investojë në këtë shtet të Ballkanit.
I përqëndruar në ftesën që kryeministri Berisha i drejtoi në kët Forum sot Izraelit për të investuar në sektorë të ndryshëm në vend, sidomos turizmin, Lieberman u shpreh se, Shqipëria është e bekuar për pozicionin gjeografik ndaj kjo kërkesë në të ardhmen do të realizohet.
“Ju jeni të bekuar me male, shumë ujë, bregdet, një ditë më parë prezantova bashkëpunimin ndërkombëtar turistik, mundësitë që ekzistojnë në sektorin e turizmit. Ndaj besoj se në një të ardhme të afërt do kemi rezultate shumë të mira në këtë fushë”.
Sipas Lieberman, Izraeli është një shtet me ekonomi të fuqishme dhe stabël që investon gjerësisht në sektorin për menaxhimin e ujit, në programet për kërkim-zhvillim dhe më bashkëpunim shumë të suksesshëm ndërkombëtar me vende të tjera.

Kurse në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha bëri një ekspoze të ekonomisë së vendit duke theksuar se Shqipëria i ka të gjitha potencialet për të mikpritur investitorët izraelitë. Kreu i qeverisë theksoi se sektorët ku pritet me dashamirësi investimi është ai i ndërtimit të hidrocentraleve dhe sektori i turizmit.
“Ka prioritete në këtë vend që përshtaten shumë mirë në sektorë të ndryshëm të vendit tuaj. Këtu keni mjedisin më miqësor për bizneset e huaja. Vendi ynë i ka të gjitha potencialet për të ndërtuar 445 hidrocentrale, ju ftoj miqësisht të investoni në sektorin e energjisë”.

“Turizmi duhet të zhvillohet, është sektori më i mirë deri më sot, kemi arritur shifra të jashtëzakonshme me turistët, kemi vijë bregdetare të gjatë, kemi shumë ujë, por mos harroni se ky është vendi më malor në Europë, ka male ngado ku hedh sytë me shumë resurse minerale, krom, bakër, hekur, nikel”

Madje Berisha theksoi se Shqipëria gjithashtu ka dhe fuqi punëtore të re, të fortë dhe të arsimuar.
“E di që në memorien tuaj është imazhi i Shqipërisë së të kaluarës, por ne kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme të ndryshojmë këtë vend”, u shpreh në fjalën e tij anglisht kryeministri Berisha.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›