Lieberman fajëson Turqinë

Turqia duhet të fajësohet për krizën në marrëdhëniet mes Izraelit dhe Ankarasë dhe Izraeli nuk do të shndërrohet në një “thes për goditje” për Turqinë, deklaroi ministri i Jashtëm i Izraelit, Avigdor Lieberman.
Në komentin e tij, publikuar në gazetën Jerusalem Post, Lieberman akuzoi Ankaranë për nxitje anti-semitiste dhe tërhoqi vërejtjen se situata e tanishme në Turqi i ngjason situatës në Iran, para shpërthimit të revolucionit islamik në këtë vend.
Marrëdhëniët mes dy vendeve u përkeqësuan dukshëm, pas aksionit të njësive speciale të Izraelit kundër anijes me ndihma për Gazën, me ç’rast u vranë nëntë shtetas të Turqisë.
Por Lieberman theksoi se tendosje ka pasur edhe para incidentit dhe theksoi se ato janë nxitur nga qeveria turke.
“Burimi i krizës aktuale ka rrënjët në muajin janar 2009, kur kryeministri i Turqisë, Recep Tayyib Erdogan sulmoi verbalist presidentin e Izraelit, Shimon Peres”, tha Lieberman.
Ai shtoi se Izraeli nuk e dëshiron përkeqësimin e marrëdhënieve me Ankaranë dhe akuzoi politikanët turqë se po e shfrytëzojnë Izraelin për qëllime të brendshme politike.