Liga Arabe “Ok” një plani të ri për Sirinë

Liga Arabe ka rënë dakort për një plan të ri për Sirinë. Sipaskëtij plani, presidenti Bashar Al-Asad parashikohet t`i dorëzojë pushtetin një prej zëvendësve, si dhe të formojë një qeveri të unitetit, përpara mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe presidenciale.
Plani u miratua dje në Kajro nga ministrat e jashtëm të Ligës Arabe. Ministri i jashtëm i Katarit, Hamad bin Xhasim al-Tani tha se qeveria kombëtare e unitetit e cila duhet të krijohet brenda dy muajsh, do të ketë simision zbatimin e pikave të planit të Ligës Arabe.
Sipas tij, përgatitjet për zgjedhjet e lira parlamentare dhe presidenciale duhet të bëhen sipas një ligji, i cili tregon se procedura të tilla duhet të kryhen nën vëzhgimin arab dhe ndërkombëtar.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm, televizioni shtetëror i Sirisë citoi një burim anonim të qeverisë të ketë thënë se Damasku e ka refuzuar planin, duke e quajtur konspiracion kundër sirianëve.