Protesta e “Vetëvendosjes”, Rexhepi: Protestuesit ishin të disiplinuar

Ndërron retorika dhe veprimet e policisë ndaj protestuesve që thërrisnin për reciprocitet me Serbinë. Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi në një intervistë ka theksuar se nuk u ka kërkuar protestuesve të shpërndahen.
“Herën e kaluar kanë paralajmëruar se do të jenë paqësorë, por protestuesit ishin të dhunshëm. Këtë herë kanë qenë të disiplinuar por dhe policia ka qenë e disiplinuar. Ne do të vazhdojmë me këtë qëndrim”, ka thënë Rexhepi.
Pas më shumë se 12 orë qëndrimi në rrugë, lëvizja Vetëvendosje i dha fund të orët e para të mëngjesit protestës në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Merdarë dhe Dheu i Bardhë.
Protesta e lëvizjes “Vetëvendosje” në dy pikat kufitare me Serbinë u zhvillua pa incidente ndërsa sipas lëvizjes policia e Kosovës ka arrestuar aktivistin Veton Dragusha. "Vetëvendosje" gjithashtu ka njoftuar edhe se policia bllokoi edhe të gjitha rrugët e kryesore që të çonin për në vendin e protestës, më qëllim bllokimin e komunikimit mes qendrave urbane dhe protestës.
Ndërkohë lëvizja "Vetëvendosje" do të mbajë sot mbledhjen e kryesisë ku do të vendoset për hapat e mëtejshëm.