Mocioni i Vetëvendosjes në Gjykatën Kushtetuese?

Vetëvendosjes do t`i duhen 40 nënshkrime për ta dërguar çështjen e mocionit të PDK-së në Gjykatën Kushtetuese. Partitë e opozitës në Kosovë mbeten e vetmja rrugë për Vetëvendosjen për të bërë të mundur marrjen e firmave të nevojshme.
Ndërsa LDK-ja hesht kur pyetet nëse do mbështesë Lëvizjen e Albin Kurtit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta diskutojë këtë çështje në kryesinë e partisë.
"Do të konsultohemi në organet e partisë", ka thënë për Radio Dukagjinin, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi.
Lëvizja “Vetëvendosje” ka paralajmëruar se mocionin e votuar në Kuvend më 7 dhjetor të vitit 2011, e të shfuqizuar më 20 janar të këtij viti, do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar nëse është shkelur Kushtetuta kur është votuar vendimi i dytë.