Liga e Kampioneve/ Elbasani eliminohet nga lituanezët e Ekranas. Humbet 3-0

Elbasani nuk ka mundur të vazhdojë aventurën në Ligën e Kampioneve. Pas fitores shpresëdhënëse një javë më parë në "Ruzhdi Bizhuta", kur fitoi 1-0 me golin e Gentian Stojkut, kampionia e Shqipërisë është mundur sot në Panvezysit të Lituanisë me rezultatin e thellë 3-0, duke sjellë në mënyrë automatike edhe eliminimin e djemve të Ilir Dajës dhe presidentit Arben Laze nga Liga e Kampioneve qysh në raundin e parë.
Elbasani dështon kështu në pjesëmarrjen e dytë në Ligën e Kampioneve. Për herë të parë ka marrë pjesë në edicionin 1984-1985 ku është mundur
dy herë me rezultatin 3-0 nga kampionia e Finlandës, Lyngby.
Rezultati i thellë lë shumë për të dëshiruar, kur edhe pretendimet ishin të mëdha, të paktën për të kaluar turin e parë, teksa edhe presidenti Laze vendosi një shumë të madhe për kualifikimin.
Goli i parë u shënua nga vendasit qysh në minutën e 9 të takimit me anë të Savenas, që barazoi edhe rezultatin e përgjithshëm në 1-1. Në pjesën e dytë vinë edhe dy gola të tjerë: Tomkevicius kaloi në 2-0 në minutën e 49 dhe Luksys vulosi rezultatin në 3-0 në mintën e 65, duke e cuar rezultatin e përgjithshëm për të dyja takimet në 3-1.
Ndeshja u gjykua nga një treshe nga Irlanda e Veriut me kryesor Devid Malkolm.
Elbasani sezonin e kaluar mori pjesë në Kupën UEFA por u eliminua nga Vardari i Shkupit (1-1, 0-0).
Elbasani bëhet kështu ekipi i dytë shqiptar që eliminohet nga veprimtaritë ndërkombëtare pas Partizanit në Kupën Interoto.
Të enjten e ardhshme do të ballafaqohen në takimet e dyta të Kupës UEFA: në Sofie CSKA-Dinamo (ndeshja e parë 1-0 për CSKA-në) dhe Tirana-Varteks Varazhdin. Ndeshja e parë e përfunduar në Kroaci 1-1 i jep shpresë Tiranës që të bëhet kështu ekipi i vetëm që kalon turin e dytë.
Franc Hoxha