Maqedonasi Nikola Ilievski, trajneri i ri Elbasanit

Trajneri i dytë kampion i Elbasanit, Ilir Daja i ka lënë vendin e tij, maqedonasit Nikola Ilievski në krye të pankinës së verdhebluve. Ilievski, trajneri i parë i huaj i Elbasanit është përballë një misioni të vështirë me kampionin e Shqipërisë, jo vetëm për të mbrojtur titullin e fituar një sezon më parë nga "i panjohuri" Ilir Daja, por dhe se fati e ka vendosur që dy ndeshjet e para të tij zyrtare t'i përballojë me skuadrën e dytë më të fortë të Shqiperisë, rekormbajtësen e titujve kampionë Tiranën.
Elbasani u largua kokëlulur nga ballafaqimi në Ligën e Kampioneve, dhe nga radhët e kampioneve janë larguar disa lojtarë cilësorë, përfshirë kapitenin Nevil Dede (i rikthyer te Tirana) si dhe golashënuesit më të mirë të sezonit të kaluar, Skerdi Bejzades (16 gola), që do të militojë në rradhët e Vllaznisë.
Drejtuesit e klubit elbasanas pëcaktuan edhe stafin e ri që do të punojë me Ilievskin. Trajneri i dytë do të jetë Ilirjan File, ndërsa trajner i portiereve Muharrem Dosti, mjekë sportiv Ilir Xhemollari dhe Mehmet Buzmerxhani, si dhe masazhatori Zihni Bordi.
Maqedonasi Nikola Ilievski është trajneri i treti i huaj që do të drejtojë në Superligë një skuadër shqiptare. Vllaznia do të udhëhiqet nga gjermani Urlih Shulce, ndërkohë që Apolonia i është besuar rumunit Silviu Dumitresku.
* * *
Ja të gjithë trajnerët e Supeligës, sezoni2006-2007
1.Elbasani: (Ilir Daja) Nikola Ilievski, maqedonas
2.Partizani: (Sulejman Starova) Neptun Bajko
3.Tirana: (Mirel Josa), Mirel Josa
4.Besa: (Përparim Daiu) Hasan Lika
5.Dinamo: (Vasil Bici) Faruk Sejdini
6.Vllaznia: (Hysen Dedja) Urlih Shulze, gjerman
7.Shkumbini: (Faruk Sejdini) Vasil Bici
8.Teuta: (Alfred Ferko) Sulejman Starova
9.Flamurtari: (Vasil Bici) Agim Canaj
10.Luftetari: (Mustafa Hysi) Mustafa Hysi
11.Apolonia: (Dhimitër Papuciu) Silviu Dumitresku, rumun
12.Kastrioti: (Ramadan Ndreu) Ramadan Ndreu
* (Në kllapa trajnerët me të cilët ekipet përfunduan sezonin 2005-2006)