Sulejman Starova zyrtarisht në pankinën e Teutës
Sulejman Starova, tekniku i vetëm që ka fituar 2 kampionate nga e gjithë lista e trajnerëve që do të drejtojnë 12 ekipet e Superligës në edicionin 2006-2007, është zyrtarisht trajneri i ri i Teutës. Ish-trajneri kampion i Partizanit në sezonin 1992-1993 do të ketë ndihmës, futbollistin e njohur Gentian Begeja, ndërsa shefi i klubit Eduard Salillari do të jetë në rolin e përgatitësit atletik.
Për Starovën, Teuta është ekipi i tretë që drejton pas Partizanit (2 herë) dhe Tiranës.
Teuta sezonin e kaluar mbijetoi në Superligë pas fitores 1-0 në play-out me Skënderbeun. Teuta e ka fituar një herë kampionatin në sezonin 1993-1994 dhe 3 herë Kupën e Shqipërisë (1995, 2000, 2005).
Teuta ka firmosur kontrata me gjirokastritin Bledar Devolli dhe lezhjanin Alert Alcani, ndërkohë që në formacionin e "djemve të detit" militojnë lojtarë me eksperiencë si Xhevair Kapllani, Oert Kotja, Bledar Mancaku, Albert Duro, etj. si dhe malaziasi Aleksandër Kovac.
Në radhët e Teutës këtë edicion do të jetë edhe sulmusi nga Zambia, Ziambo, autor i një goli me Teutën gjatë pjesës së dytë të kampionatit të kaluar.