Liga e Kampionëve dhe qëndrimi në Bayern

Ylli i Bayern Munichut, Franck Ribery ka bërë të qartë se synon kualifikimin për në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve me gjigantin bavarez.
Kampioni aktual i Bundesligës është në luftë për të siguruar pjesëmarrjen në garën elite të klubeve, ndërsa Ribery ka shprehur dëshirën e tij të jetë pjesë e saj.
“Është shumë vështirë për një futbollist të madh kur nuk jeni të sigurt nëse do të kualifikoheni për Ligën e Kampionëve. E kam kaluar këtë më parë në sezonin tim të parë në Bayern. Ne luajtëm në Kupën UEFA dhe nuk ishte aq argëtuese”, tha Ribery për magazinën TZ.
Reprezentuesi francez ka sqaruar se largimi nuk është në mendjen e tij dhe insistoi se është i lumtur në Allianz Arena. “Tashmë kam vendosur se dua të mbetem. Kontrata ime me Bayernin vlen edhe për katër vite tjera dhe nuk mendoj rreth transferimit. Ndihem shumë mirë dhe nuk dua të largohem nga Bayern”, shtoi Ribery i cili shpreson që, përveç tij, në klub të mbetet edhe mesfushori holandez Arjen Robben.
“Sigurisht se dua që të mbetet edhe Robben. Është me rëndësi për Bayernin që Lahm, Robben, Ribery dhe Schweinsteiger të mbeten në klub”, përfundoi ai.