Monumente që mund tu ndryshojë kategoria
Gjirokastër - Amortizimi i përditshëm i një sërë objektesh monumentale në Gjirokastër mund të ndryshojë kategorinë e tyre. Të paktën kështu mendojnë specialistët e monumenteve. Zhvillimet më të fundit në pjesën muzeale, të lidhura kryesisht me ndërhyrjen nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare për shembjen e pjesëve të dëmtuara e të rrezikshme në disa banesa kanë sjellë në këtë qytete ekspertë të Institutit të Monumenteve të Kulturës.
Pas inspektimit të një sërë objektesh grupi i punës ka hartuar një plan masash për restaurime në ndërtesat më të rrezikuara. Sipas autorit të dosjes së pranimit të Gjirokastrës në UNESKO, prof. Emin Riza, ndërhyrjet në një sërë shtëpish monumentale janë mjaft emergjente. “Shtysa kryesore ka qenë dëmtimi i fundit i ndodhur në Gjirokastër, por ka pasur edhe një sensibilizim nga ana e bashkisë së qytetit për gjendjen e disa objekteve që paraqesin rrezik. Ne po i shohim monumentet për të cilat pretendohet se ka rrezik shembjeje njëra pas-tjetrës dhe do të paraqesim raportin tonë teknik, megjithëse Drejtoria e Monumenteve këtu ka hartuar që para dy vjetësh një plan 5-vjeçar, në të cilin renditen përparësitë në lidhje me ndërhyrjet eventuale restauruese në monumentet sipas gjendjes së tyre të rrezikshmërisë dhe sipas lagjeve. Ka banesa të tilla që për shkak të degradimit mund t’u ndryshojë kategoria, por duke qenë pjesë e qendrës historike ato duhen rindërtuar pjesërisht, si një rast madhor, sepse përndryshe cënojnë njësinë e ansambleve historike. Fatmirësisht nuk kemi asnjë banesë të shembur deri në themel.Besoj që me një kthesë të vërtetë që ka ndodhur veçanërisht në këto dy vitet e fundit për sensibilizimin e vlerave të Gjirokastrës dhe ndërhyrjet restauruese do të gjenden mundësitë që të ketë një ndërhyrje emergjente, së pari për të larguar rrezikshmërinë e shembjes, për konsolidimin e gjendjes, restaurimin apo shkatërrimin e pjesshëm natyrisht si premisë për rindërtimin si ka qenë”, ka theksuar Riza.
Janë 24 banesa që mbajnë statusin “Monument Kulture”, tri prej të cilave të kategorisë së parë që kanë nevojë për ndërhyrje, në mënyrë që të mos cënohet njësia e ansamblit të Qendrës Historike të Gjirokastrës.