Halimi, PD: Informuam Topin për rrëzimin e Kostës
Mazhoranca jo vetëm nuk është tërhequr pas kritikave të ndërkombëtarëve, por ka bërë me dije se edhe kreu i shtetit ka qenë në dijeni për mundësinë e rrëzimit të Vangjel Kostës nga deputetët e PD-së. Anëtari i Komisionit të çështjeve Ligjore, Eduard Halimi, deklaroi dje se “Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së në takime zyrtare me këshilltarin e Presidentit të Republikës (Spiro Peçi) ka siguruar Presidentin se mazhoranca nuk do të sugjerojë asnjë kandidat e do votojë çdo kandidat që plotëson kriteret profesionale, por që nuk kanë marrë pjesë në procese politike të regjimit barbar totalitar dhe nuk kanë mbajtur funksione politike gjatë 20 viteve të pluralizmit, qoftë në qeveritë e PS-së apo të PD-së. Ky vendim i mazhorancës vjen nga besimi i saj më i thellë se nuk mund të jenë në krye të drejtësisë shqiptare, tani pas 20 vitesh, gjykatësit apo prokurorët e proceseve politike të diktaturës”. Halimi ka akuzuar rëndë anëtarin e rrëzuar të Gjykatës Kushtetuese kur theksoi se “kandidati për anëtar i Gjykatës Kushtetuese gënjeu, mashtroi komisionin parlamentar në seancën dëgjimore, kur mbas pyetjes së deputetëve, nëse ka zhvilluar procese e gjyqe politike, iu përgjigj -JO! Ndërkohë, rezultoi se zoti Kosta kishte disa të tilla, për më tepër edhe në vitet e grahmave të fundit të regjimit barbar”. Deputeti i Partisë Demokratike akuzoi socialistët se kur kanë qeverisur vendin kanë zgjedhur në krye të Gjykatës Kushtetuese deputetë të saj, si Fehmi Abdiu, por realisht edhe kryetari aktual i këtij institucioni ka qenë zv/ministër i Drejtësisë gjatë mandatit të parë qeverisës së Partisë Demokratike.
#