E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligj i ri për të moshuarit, Ksera: Nuk rritet mosha e pensionit

Ministri i Punës raporton në Komision parlamentar: “Ka reformim të Ligjit për Sigurimet Shoqërore, por kurrsesi nuk ka rritje të moshës së pensionit”

Mosha e daljes në pension nuk do të ndryshojë. Shqiptarët do të vijojnë të ndërpresin punën, respektivisht në moshën 60 vjeç femrat dhe 65 vjeç meshkujt. Ndaj, të gjitha ata persona që janë në prag të daljes në pension dhe që janë ende dyshues nëse mosha do të rritet, duhet të qetësohen, pasi një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Garancia për këtë ka ardhur nga ministri i Punës, Spiro Ksera, i cili thotë se nuk do të ketë rritje të moshës për daljen në pension, por, sipas tij, mosha do të indeksohet në bazë të Ligjit të Sigurimeve Shoqërore. Ministri i Punës sqaron se ndryshimet ligjore, të njoftuara dhe nga kryeministri Sali Berisha, kanë të bëjnë vetëm me përafrimin e pensioneve të fshatit me ato të qytetit dhe jo rritje e moshës së daljes në pension. “Ka reformim të Ligjit për Sigurimet Shoqërore, por kurrsesi nuk ka rritje të moshës së pensionit. Do të ketë një indeksim që ka të bëjë me moshën, por kurrsesi nuk ka rritje. Ka indeksim në nivele të ndryshme të pensioneve, siç janë ato të fshatit, në sektorin bujqësor, të invaliditetit dhe gjithë pensioneve të tjera. Me një fjalë, nuk ka të bëjë me rritjen e moshës së pensionit”, - sqaron ministri i Punës. Këtë deklaratë ai e ka bërë gjatë raportimit përpara deputetëve në komision parlamentar të Punës, ku ministri Ksera njoftoi gjithashtu se ka gati një ligj për trajtimin e moshës së tretë, i cili mes të tjerash parashikon strehim dhe transport falas për të moshuarit. Ministri i Punës ka bërë të ditur se dikasteri që ai drejton ka përfunduar hartimin e draft-ligjit për moshën e tretë, që pritet të diskutohet me grupet e interesit dhe të paraqitet për miratim në Këshillin e Ministrave. “Aksesi i tyre nëpër qendra ditore, në transportin publik dhe në gjithë ato që jep ligji i statusit të të moshuarit. Drafti është bërë gati nga grupi i punës, është diskutuar edhe me aktorë të tjerë, me OJF-të që operojnë në këtë fushë. Pritet që ne t’i japim formën përfundimtare. Ka një buxhet të konsiderueshëm, por që qeveria është e gatshme që ta mbështesë këtë ligj”, - theksoi Ksera. Përfaqësuesit e grupeve të interesit pjesëmarrës në komision kërkuan hartimin e strategjive lokale me objektiva të qartë për moshën e tretë si dhe rritjen e buxhetit social të qeverisë në nivelin e vendeve të BE-së. Deputetët vlerësuan raportimin e ministrit, duke u ndarë në vlerësimin e tyre rreth arritjeve të qeverisë në mbrojtje të kësaj kategorie. Por deputetët e opozitës nuk e pranuan propozimin e deputetëve të pozitës në komision për caktimin e një grupi deputetësh që, së bashku me institucionet qendrore dhe shoqërinë civile, të përgatisin një projekt-rezolutë, në të cilën të evidentohen arritjet dhe ndërhyrjet e nevojshme që do t’i propozoheshin qeverisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›