E Diel, 1 Nëntor 2026

Deri më 2015, kalimi tërësisht në tv dixhitale

Duke folur në mbledhjen e qeverisë rreth zhvillimit të sektorit të komunikimit, kryeministri Sali Berisha, theksoi se fokusi i përpjekjeve të qeverisë do të jetë mundësimi i internetit me çmimin më të ulët të mundshëm, për qytetarët shqiptarë.

 Duke sjellë në vëmendje të publikut të dhënat mbi përdorimin dhe çmimet e telefonisë mobile në Shqipëri, krahasuar me vitin 2005, të cilat dëshmojnë, rritjen 180 për qind të përdorimit të celularëve dhe uljen me 2 deri në 4 herë të çmimeve të telefonisë mobile, Kryeministri theksoi se çmimi me të cilin u ofrohet interneti qytetarëve shqiptarë është problemi i radhës që pret të zgjidhet.

Për realizimin e këtij synimi, Berisha bëri të ditur se Posta Shqiptare do të importojë fluksin e internetit në sasitë më të mëdha të nevojshme dhe do të furnizojë me një çmim shumë herë më të ulët, sesa çmimi i sotëm, për operatorët privatë. Sikundër do të hapë 1200 pika të tjera në mbarë vendin, krahas 510 ekzistueset, në total 1710 pika, ku  interneti do të ofrohet falas.
 
“Në këtë mënyrë, ne shënojmë një hap përfundimtar drejt Shqipërisë dixhitale. Pra, një janë autostradat reale, ku udhëtojnë qytetarët, dy janë autostradat virtuale, në të cilat lundrojnë me imagjinatën e tyre, të rinjtë e në tërësi qytetarët shqiptarë. Natyrisht, dua të jem i sinqertë që fokus kryesor në këtë nismë është rinia shqiptare”, theksoi Berisha. Ai nuk la pa ironizuar edhe Ramës në lidhje me përdorimin e rrjeteve sociale.

“Ndonëse kjo doktrinë, e bazuar në ikona, përvetësohet në çdo moshë dhe është duke u përvetësuar, natyrisht, gjenitë e kësaj fushe janë të gjithë të një moshe që e kanë imagjinatën të pakufishme, të rinjtë. Shihni çfarë bëri Marc Zuckerberg apo të tjerë. Zuckerberg, i cili nuk ka as universitet, ndonëse mund ta ketë marrë tani, pasi i meriton të gjitha diplomat e gradat shkencore, me Facebook  e transformoi komunikimin me botën. Sikundër edhe Twitter, por jo për qëllime politike, pasi Twitter është për intimitete, ndërsa zoti Rama e përdor për editoriale”, vijoi.
 
Dokumenti i Strategjisë parashikon objektivat kryesore dhe parimet e kalimit në transmetimet dixhitale, përcakton rolin e strukturave përkatëse të administratës shtetërore në krijimin e kushteve të kalimit në sistemin numerik, si dhe përcakton hapat, procedurat e afatet e kalimit brenda qershorit të vitit 2015.  “Sot miratojmë strategjinë e zhvillimit të transmetimit dixhital, si transmetimi më cilësor që ekziston. Në këtë aspekt është bërë një punë shumë serioze dhe unë dua t’i përgëzoj mediat që kanë filluar transmetimin dixhital falas, çka përbën inkurajim për to. Jam informuar se tani edhe media të tjera do të ndjekin këtë rrugë dhe kjo është shumë pozitive. Ndërkohë brenda vitit 2015, ne duhet të garantojmë transmetim dixhital në shkallë vendi. Strategjia ka bërë edhe kostifikimet përkatëse për të gjithë projektin e realizimit të këtij transmetimi për Televizionin Publik, pasi detyrimi i qeverisë është për Televizionin Publik”, shtoi Berisha. /Start/

                                                                                             2012-05-02 15:24
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›