OSBE-në e duam

Ish-ministri i Jashtëm thotë se për zgjedhjet e ardhshme duhet të shtohen jo vetëm vëzhguesit e OSBE-së, por edhe të Këshillit të Evropës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të tjera
Ish-ministri i Jashtëm dhe nënkryetari i Partisë Demokrate Reformatore, Tritan Shehu, e vlerëson si të rëndësishëm rolin e OSBE-së në momentet kyçe të politikës dhe të zgjedhjeve në Shqipëri. Sipas tij, jo vetëm që nuk duhet kërkuar kufizimi i vëzhguesve të OSBE-së, por ai duhet shtuar, në mënyrë që imazhi i zgjedhjeve shqiptare si të lira dhe të ndershme të mësohet nga sa më shumë vende të botës. Sipas reformatorit Shehu, përveç shtimit të numrit të vëzhguesve të OSBE-së, për zgjedhjet e ardhshme duhet të ftohen vëzhgues edhe nga Këshilli i Evropës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga vende të tjera. “OSBE-ja ka luajtur një rol të rëndësishëm në Shqipëri dhe do të vazhdojë të luajë, pasi ne kemi akoma nevojë për prezencën e saj. Ne si mazhorancë jemi krejt të hapur që OSBE/ODHIR-i të monitorojnë zgjedhjet e ardhshme dhe nuk kemi asnjë kompleks. Ne e kemi thënë disa herë, që të ketë një numër sa më të madh të vëzhguesve të huaj, qoftë nga Këshilli i Evropës, qoftë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë nga OSBE/ODHIR-i, qoftë edhe nga vende të tjera të huaja, pasi mazhoranca është krejt e hapur dhe kërkon që zgjedhjet e ardhshme të jenë sa më të lira dhe të ndershme. Dhe është mirë që kjo të komentohet nga të gjithë vendet e huaja që vijnë në Shqipëri”, thotë Shehu. I pyetur sesi i shikonte deklaratat e OSBE-së në momente kyçë të politikës shqiptare, Shehu tha se në shumicën dërrmuese të tyre, deklaratat kanë qenë realiste. Sipas nënkryetarit reformator, nuk mund të zhvlerësohet roli i OSBE-së në proceset zgjedhore si në Shqipëri, ashtu edhe në botë. Shehu vijon më tej, duket thënë se, edhe pse vendi ynë ka bërë përparime të dukshme në fushën e demokracisë dhe të zgjedhjeve dhe gjithnjë e më pak ka nevojë për monitorime të jashtme, sërish roli i kësaj organizate ndërkombëtare për zgjedhjet është i nevojshëm. Ndërkohë, dy ditë më parë, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kritikoi shumë ashpër OSBE-në, duke shprehur mosbesim ndaj këtij institucioni për zgjedhjet e ardhshme. Kreu i LSI-së deklaroi se do të negocionte me disa kompani të huaja të specializuara për zgjedhje, në mënyrë që të jenë këto kompani që të monitorojnë procesin zgjedhor të vitit 2009.