SEKUESTRIMI I POLITIKËS
Dukuria djallëzore e "dushkut" më shumë se dobësi e sistemit elektoral, ishte imoralitet malefik i një pjese të klasës politike. Disa eksponentë të jetës politike manipuluan ligjin duke i tërhequr kundërshtarët politikë dhe zgjedhësit në grackën diabolike të bashkëpunimit në trafikimin e votës. Ata që paguheshin (disa prej tyre) të prodhojnë një legjislacion ku të izolohej çdo mundësi për spekulim, gjetën shtegun për t'ia hedhur ligjit që vetë kishin bërë. Kjo është sa tragjike, aq dhe komike. Mbasi virusuan sistemin, po këta individë, në vend të zotohen të vetëpërmbajnë instinktet deviacioniste manipuluese, propozojnë të eliminohet pjesa më frytdhënëse e ligjit elektoral, sistemi mazhoritar uninominal. Vota e drejtpërdrejtë e individualizuar për zgjedhjen e deputetëve duhet të mbetet kolona e sistemit elektoral dhe mekanizmi kryesor i përzgjedhjes së elitave politike. Përpara se të kalojmë në argumentimin e tezës sonë, është rasti të theksojmë se, një testim i opinionit publik e shikon kështu kodin elektoral: 46% janë në favor të sistemit të tanishëm miks (të përmirësuar); 37% për votim vetëm për kandidatin e zonës, dhe vetëm 17% për proporcionalin. (Anketa e Opinionit Publik - Globic LLC, qershor 2006).
Sistemi elektoral duhet konceptuar nën perspektivën e reformimit të vazhdueshëm të elitës politike dhe në këtë aspekt, gjeneruesi i rinovimit të klasës politike të jetë elektorati. Atij duhet t'i lihen mjetet e drejtpërdrejta për të operuar dhe për të nxjerrë jashtë lojës parlamentarët, që gjatë një cikli elektoral shfaqën shenja paaftësie, deviacioni e plogështie, reflekse dhune, mungesë integriteti dhe ndershmërie, papërputhshmëri për të vazhduar t'u shërbejnë interesave të qytetarëve. Përvoja e viteve të fundit, ka treguar se eficiencën më të madhe në reformimin e politikës shqiptare e ka sistemi mazhoritar uninominal. Me përzgjedhjen e kandidatëve nga populli u arrit të s'kualifikoheshin një sërë politikanësh, të cilët në perceptimin shoqëror identifikoheshin me ushtrimin abuziv të pushtetit, shkeljen e etikës parlamentare dhe atë politike, bizneset e paligjshme, konfliktet e interesave, monopolet, paaftësinë politike etj. Sot ndeshemi me një fenomen tjetër. Vota elektorale i mënjanoi një sërë kandidatësh nga jeta parlamentare në një kohë që partia politike i risolli, po këta individë, në qendrën e përfaqësimit publik apo atë partiak. Në tërë këto raste, atë që nuk mundi dhe nuk arriti ta bëjë partia politike e bëri vota e qytetarëve. Kjo tregon, që sistemi mazhoritar uninominal funksionon mirë dhe se është absurde që reforma e re të modifikojë pikërisht pjesën e shëndetshme të sistemit elektoral. Lidhja midis kandidatit dhe zgjedhësve duhet të mbetet e drejtpërdrejtë. Çdo ndërmjetësim, eklipsim i kandidatit nga partia, do shpërveçojë (depersonalizojë) votën dhe përgjegjësinë, do transferojë autoritetin mbi parlamentarin nga votuesit tek partia, gjë që do reflektohet negativisht në shërbimet që i zgjedhuri do t'u afrojë zgjedhësve të tij. Aktiviteti politik i parlamentarit do të ketë pasoja. I preokupuar më shumë për vazhdimësinë e karrierës së tij politike (përfshirja në listën për deputetë) sesa në zgjidhjen e problemeve të zonës së tij elektorale, do bëjë që të kemi një përfaqësim dhe përgjegjësi politike të paqartë. Përgjegjësia do mbetet jetime. Nisur nga këto parashikime, është e rëndësishme të theksojmë se modifikimet e ligjit elektoral duhet të stimulojnë aktivitetin e parlamentarit në shërbim të zgjedhësve, të vendosë në një përpjesëtim të drejtë eficiencën e mandatit me shanset për t'u rizgjedhur, apo, kredibilitetin e premtimeve me fitimin e një mandati të ri.
Në një vend ku kultura organizacionale dhe ajo e lidershipit, frymëzohet në një masë të madhe nga një kashtosje traditash sundimesh, intrigash e vetënënshtrimesh, sistemi i pastër proporcional do cenonte cilësinë e parlamentarëve. Midis nesh vazhdojnë akoma të rriten politikisht individë me instinkte sunduese, të vendosur për të formësuar sipas dëshirave personale klasën politike. Përvoja e gjatë e historisë politike të njerëzimit na ka mësuar se vullneti haluçinant i një pushtetari për të monopolizuar, sekuestruar dhe dhënë formë përfaqësimit politik të një vendi, çon drejt 2 katastrofash: luftës civile ose diktaturës. Për një vend të botës së tretë, të ligështuar nga këto fenomene, përsëritja e historisë do ishte fatale dhe skualifikuese. Nisur nga eksperienca e historisë tonë të hidhur, sikurse për t'u mbrojtur nga përqendrimi i pushtetit tek një njeri i vetëm, militojmë për ruajtjen e votimit të personalizuar të deputeteve.
Logjika përzgjedhëse brenda partisë politike ndryshon nga logjika me të cilën përzgjedh elektorati. Djali "i mirë" preferohet në shumë raste para njeriut të aftë. Në hierarkinë e prioriteteve partia e tranzicionit vendos disiplinën, konformizmin, marrëdhëniet me liderin, me grupin drejtues; uniteti shpeshherë shkel parimet, preferohet ngandonjëherë uji i ndenjur, i qetë e i kontrollueshëm, pa surpriza, përpara rrymave modernizuese që prodhojnë energji. E kundërta ndodh me votuesit. Racionaliteti i votës së tyre bazohet mbi një kombinim të përkatësisë politike me vlerësimin e vetive të kandidatit për deputet si: kapaciteti i përfaqësuesit, arsimimi, rezistenca, guximi, shpirti luftarak, suksesi, vendosmëria, dashuria për njerëzit dhe vendin, kombinimi i tradicionalistit me modernin, i mendimtarit me altruistin. Nëse partia do të jetë nën presionin e votës së drejtpërdrejtë të sistemit mazhoritar uninominal, do jetë e obliguar të përfaqësohet në ballafaqimet elektorale me figurën që afrohet më shumë me portretin-robot, konstruksion i pritshmërisë qytetare. Ndërvarësia kandidat-parti stimulon depersonalizimin e partisë. Në situatën aktuale, ku një pjesë e mirë e partive janë eklipsuar nga personaliteti i liderit dhe përjetojmë periudhën e personalizimit të institucionit partiak, të ndryshosh sistemin elektoral nga ai miks (mazhoritar/proporcional) në një sistem të pastër proporcional, do të thotë të braktisëshreformën e klasës politike, t'i heqësh tregut të lirë konkurrencial mundësinë të përzgjedhë politikanin përfaqësues dhe ta lësh tërësisht këtë mekanizëm në institucionin e brishtë të partisë së tranzicionit dhe në disa raste nën sekuestrimin e kryetarit të partisë.