E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligjet me 3/5-at, opozita shfaq rezerva për Kodin Rrugor

16/11/2011  Komisioni i Ligjeve shtyn për të hënën miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar

Opozita në Komisionin parlamentar të Ligjeve u shfaq dje e rezervuar ndaj ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar prej 84 votash. Në mbledhjen e djeshme gjatë shqyrtimit të projektligjit për Kodin Rrugor socialistët e kushtëzuan miratimin e tij duke kërkuar që të dëgjoheshin më parë dhe grupet e interesit, si dhe tri ndryshimet në Kodin Rrugor të përmblidhen në një vetëm. Qëndrimi i socialistëve vjen vetëm një ditë pas marrëveshjes së arritur në Konferencën e Kryetarëve, ku krerët e grupeve kuvendore vendosën që ligjet me 3/5-at të diskutoheshin dhe të votoheshin në komisionet parlamentare. Në mbledhjen e djeshme deputeti socialist Fatmir Xhafaj kërkoi që për ndryshimet në Kodin Rrugor të ndiqet një tjetër procedurë, e cila sipas tij do ta bënte Kodin më cilësor nga pikëpamja legjislative. Ndërsa marrëveshja e së hënës për kapërcimin e ngërçit politik për socialistin Xhafaj ishte e nxituar. “Unë besoj se Konferenca e Kryetarëve ka urdhëruar që pa u zbardhur dita, në mënyrë jo shumë korrekte, të nisim shqyrtimin e një projektligji. Unë nuk besoj dhe nuk dëshiroj të besoj se e gjithë kjo është konceptuar si thjesht një ngritje kartonësh. Ne nuk kemi dhënë konsensus për një proces formal”, - tha Xhafaj. Kërkesa e Xhafajt është lexuar ndryshe nga kreu i komisionit Ilir Rusmali, i cili vuri në dyshim marrëveshjen e arritur mes palëve. “Konferenca e Kryetarëve me unanimitet hodhi poshtë tentativën për t’i imponuar Kuvendit procedurat përjashtimore. Le t’i qëndrojmë marrëveshjesh së bërë”, - tha Rusmali. Por i menjëhershëm ishte reagimi i Xhafajt, i cili tha se komentet për marrëveshjen ishin të tijat personale. “Nuk jemi këtu për të bënë thjesht kartonë apo numra. Ne po kërkojmë seriozitet dhe uninanimiteti i Konferencës të kthehet në vendimmarrje serioze”, - tha deputeti i PS-së. Në përfundim, për t’i dhënë jetë marrëveshjes, demokratët ranë dakord të shtynin deri të hënën e ardhshme shqyrtimin e këtij projektligji.

Debatet

Xhafaj – Zoti kryetar, ne jemi njohur me vendimin e Konferencës së Kryetarëve. Është një vendim i mirëpritur dhe natyrisht i detyrueshëm për t’u zbatuar. Unë besoj se Konferenca e Kryetarëve ka urdhëruar në mënyrë jo shumë korrekte të vijmë me shqyrtimin e një projektligji.

Rusmali - Pas asaj marrëveshje që u arrit dje nga Konferenca e Kryetarëve dhe që u cilësua nga shumëkush si marrëveshje historike, kjo ishte prova e parë për të parë se sa do t’i qëndronte historisë marrëveshja. Dhe nëse kjo është prova e parë dhe ne nuk lejojmë që prova e parë të ketë sukses, nuk do të ishte marrëveshje historike, por dështim historik. Unë besoj te vullneti i mirë i palëve dhe se vullneti i mirë i palëve është shprehur në nivelin më të lartë parlamentar dje. Nuk kam asnjë motiv të mendoj se ajo që Ruçi e tha dje me plot gojën se “kjo është fryt i konsensusit për ta çuar axhendën përpara” sot kundërshtohet nga Xhafa, por unë nuk dua të shoh përçarje mes përfaqësuesve më të lartë parlamentar të PS-së.

Xhafaj - Nuk e prisja këtë gjuhë prej jush. Mendoja se do të flisnim brenda gjuhës së këtij komisioni, por ju shkuat më tej. Konferenca ka vendosur një kalendar dhe ka thënë që këto projektligje do të shqyrtohen sipas këtij kalendari dhe palët në Konferencë kanë rënë dakord për kalendarin dhe që është shpallur publikisht. Dhe unë njoh këtë, jo komentet tuaja.

Rusmali - Sa kohë që ka një nismë që prezantohet, nismëtari i qëndron nismës së vet. Unë nuk mund të mendoj se ai nuk i qëndron.

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese

PD e PS konsensus për 3 ligje që kërkojnë 84 vota

Ndryshe nga ç’ndodhi dje në Komisionin e Ligjeve, në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese është reflektuar unanimiteti dhe konsensusi i Konferencës së Kryetarëve, ku u miratuan nga të gjithë deputetët tri projektligje me shumicë të cilësuar. Të djathtët dhe të majtët kanë kaluar dje me konsensus disa ndryshime për tri kode, miratimi i të cilëve kërkon një shumicë të cilësuar prej 84 votash në seancë plenare. Konkretisht komisioni ka miratuar me konsensusin e palëve Kodin Detar, Kodin Hekurudhor dhe Kodin Ajror. Gjatë mbledhjes së djeshme kreu demokrat i komisionit Jemin Gjana theksoi se miratimi i këtyre kodeve është emergjent, pasi janë humbur dy vjet kohë. Ndërsa Komisioni i Ligjeve dje shqyrtoi dhe më pas miratoi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin për Bankat në Republikën e Shqipërisë”. Ndryshimi synon t’i hapë rrugë ndryshimit të kuadrit rregullator për instrumentet e parasë elektronike, duke mundësuar që emetimi i instrumenteve elektronike të pagesave dhe të parasë elektronike të kryhet dhe nga subjektet financiare jobankare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›