Klosi: “Berisha të reagojë për pasurinë marramendëse të ministrit Prifti”
Deputeti socialist, Blendi Klosi, gjatë fjalës së mbajtur në seancën e djeshme parlamentare, i bëri thirrje kryeministrit Berisha të japë sqarime rreth pasurisë së ministrit, Dritan Prifti. “Po bëhen tashmë gati dy javë që i gjithë opinioni publik pret të dëgjojë nga goja e kryeministrit ndonjë reagim në lidhje me atë që është tema kryesore e debatit politik e publik sot në Shqipëri: pasurimi marramendës i ministrit, Dritan Prifti, vetëm pak muajve si ministër i ekonomisë”, - është shprehur Klosi. Më tej, ai tha se pasurimi i ministrit vjen si pasojë e një biznesi korruptiv. “Pasurimi, influenca e deputetit në zonën elektorale, influenca në sistemin bankar, fshehja e biznesit duke përdorur familjarët, biznesi korruptiv ndërministror e ndërpartiak, deklarimet, arroganca, papërgjegjshmëria dhe çdo detaje i kësaj afere është një rast klasik se si në një vend mund të shkelen të gjitha ligjet për konfliktin e interesit dhe papajtueshmërinë e detyrës se deputetit”, - është shprehur Klosi.
23 Korrik 2010