E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i SHISH-it, maxhoranca tërhiqet nga votimi, rrezikon rrjedhje votash



Eljona Ballhysa
Maxhoranca është tërhequr dje nga votimi i ligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror, pas një debati të gjatë me opozitën, gjatë seancës së djeshme parlamentare. Por, duket se tërheqja e maxhorancës, nuk ka ardhur për shkak të kërkesave të PS-së dhe LSI-së për të mos votuar ligjin, por për shkak se kundër draftit kanë dalë edhe deputetë të Partisë Demokratike. Futja e këtij projektligji, të shumëkundërshtuar edhe nga faktori ndërkombëtar, në proces votimi, do të rrezikonte miratimin e këtij drafti, për shkak se deputetë të PD-së, anëtarë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare janë shprehur kundër draftit. Ndërkaq, gjatë seancës së djeshme parlamentare maxhoranca dhe opozita kanë zhvilluar debate të ashpra përsa i përket futjes në rendin e ditës së projektligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror.
Debati
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi i bëri thirrje opozitës që të diskutojnë parimisht për projektligjin dhe të marrin pjesë në votimin e tij. Ai tha se projekti është futur në rendin e ditës dhe sipas Rregullores së Kuvendit duhet të vazhdojë diskutimi për të. Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi kundërshtoi përfshirjen e draftit në rendin e ditës. Ai akuzoi maxhorancën se po shkel Rregulloren e Kuvendit dhe se nuk po respekton procedurat parlamentare. Sipas Ruçit, në Konferencën e Kryetarëve ishte rënë dakord që projektligji të futej në kalendar por nuk do të votohej. Kreu i Grupit socialist tha se me këtë projektligj po synohet vënia nën kontroll e Shërbimit Informativ të Shtetit. Ruçi gjithashtu akuzoi qeverinë dhe PD-në se nëpërmjet votimit të këtij ligji po del kundër NATO-s dhe BE-së që janë shprehur kundër tij. “Krizës institucionale, ekonomike dhe sociale që i keni krijuar ju, tani po kërkoni të shtoni krizën edhe me institucionet ndërkombëtare me NATO-n, SHBA-në dhe BE-në. Unë po ju them se Shqipërinë dhe kombin e kemi bashkë, nuk i keni vetëm ju. Ne kemi dhënë kontributin tonë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në proceset integruese, megjithëse ju keni ngritur lart flamurin tuaj. Unë ju bëj thirrje të ngriheni lart, kundër urdhërave të kryeministrit tuaj dhe të tërhiqni draftin, pasi vetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen erdhi këtu dhe na kërkoi të tërhiqnim ligjin. Por qëllimi juaj është qartë. Ju doni që pushteti të uzurpojë shtetin, të uzurpojë SHISH-in”, - është shprehur Ruçi. Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cilësoi në kundërshtim me Rregulloren kërkesën e opozitës për të tërhequr ligjin. Ajo tha se diskutimi dhe miratimi i draftit për këtë seancë është miratuar në Konferencën e Kryetarëve. Më tej, ajo njoftoi deputetët për një amendament të propozuar vetëm një natë me parë nga deputeti demokrat, Fatos Hoxha dhe propozoi që të mblidhej Komisioni i Sigurisë Kombëtare për ta shqyrtuar amendamentin në fjalë. Ruçi u shpreh se amendamenti duhet të shqyrtohet me seriozitet dhe duhet t’i lihet kohë opozitës të njihet me propozimet e reja. Ai kërkoi ndërprerjen e seancës për disa minuta në mënyrë që të mblidhej grupi parlamentar i PS-së. Pas mbledhjes së grupit të PS-së, Ruçi kërkoi tërheqjen e ligjit për SHISH-in, pasi, sipas tij, futja e tij dhe e amendamentit në rendin e ditës janë bërë në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit. Sipas Ruçit miratimi i këtij projektligji do të ishte një lajm i keq, në një ditë, kur pritet një lajm i mirë për pavarësinë e Kosovës. “Sot që presim një lajm të mirë për kombin shqiptar, sot do jetë një lajm i keq për shtetin shqiptar. Dhe ne jemi këtu, jo thjesht për të thënë fjalën tonë, po ne jemi këtu për të mos lejuar që ky lajm i keq të bëhet realitet për shtetin shqiptar”, - tha Ruçi. Kjo solli reagimin e menjëhershëm të kreut të deputetëve demokratë. “Sensibilitetin për Kosovën duhet ta kishit edhe në seanën e kaluar, duhet ta kishit dhe kur u miratua komisioni hetimor për masakrën e Tivarit. E kemi të përbashkët të kaluarën, por nuk e kemi aspak të përbashkët qëndrimin ndaj të kaluarës. Ju thoni kemi të përbashkët flamurin, por herë pas here ju nxirrni flamurin me yll, siç ishte rasti i masakrës së Tivarit”, - u shpreh Patozi.
Ruçi kërkoi që të hidhej me votë shqyrtimi ose jo i projektligjit gjatë seancës së djeshme, por kjo gjë u refuzua nga kryetarja Topalli. Më pas, një tjetër debat u zhvillua mes Topallit dhe Braçes. Nënkryetari i grupit të PS-së, Erion Braçe akuzoi Topallin se ajo nuk di gjë se ç’ndodh në Shqipëri, pasi 300 ditë të vitit është në fluturim. Kjo solli një reagim të ashpër të kryetares së Kuvendit, e cila, midis të tjerave, pranoi që t’i japë 24 orë kohë opozitës që të shqyrtojë ligjin në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. “Mesa mundësi që të kem unë do të komunikoj me çdo vend të BE-së dhe të NATO-s. Pasi unë, në kohën që ju u fryenit bilbilave, negocioja për MSA-në, negocioja për ratifikimin e anëtarësimit të NATO. Dhe ja, po ju them zoti Ruçi se kërkesa juaj, megjithëse është në kundërshtim me Rregulloren, unë bie dakord me ju, që t’i japim 24 orë kohë Komisionit të Sigurisë. Pasi unë e mirëkuptoj opozitën, nuk merrem me dietat tuaja dhe me rrotat e makinave”, - është shprehur Topalli, duke iu përgjigjur akuzave të PS-së, për abuzime me dietat.

Tre deputetë të PD-së, kundër draftit për SHISH-in

Ndërkohë, Komisioni i Sigurisë ka hedhur poshtë amendamentin për ligjin e SHISH-it. Amendamenti për mandatin e krerëve të SHISH-it u votua kundër nga deputetët e opozitës, por edhe nga disa deputetë demokratë. Kundër këtij amendamenti votuan deputetët demokratë Gazmend Oketa, Leonard Demi dhe Paulin Stërkaj. Komisioni i Sigurisë Kombëtare u mblodh gjatë paradites së djeshme, në të njejtën kohë kur në seancë zhvillohej debat për futjen në rendin e ditës së draftit për SHISH-in. Komisioni shqyrtoi amandamentin e deputetit demokrat, Fatos Hoxha, amandament që parashikonte tërheqjen e ndryshimeve që i janë bërë ligjit për SHISH-in, përveç kufizimit të mandatit të kreut të këtij institucioni. Kjo nënkupton qëllimin e hartimit të këtij projekti, që është shkarkimi i drejtorit aktual të SHISH-it, Bahri Shaqiri, me të cilin kryeministri Berisha prej pesë vitesh mban kontakte minimale. Por edhe ky propozim që u duk në pamje të parë si një komadardare e momentit të fundit për të djathtën është rrëzuar në komision. Tre demokratët Gazmend Oketa, Paulin Sterkaj dhe kryetari Leonard Demi kanë bashkuar votat me opozitën duke hedhur poshtë amandamentin. Duket se rrëzimi i këtij amendamenti në Komision solli tërheqjen e maxhorancës nga votimi i draftit, pasi i trembej rrjedhjes së votave brenda saj.

Meta mbështet PS-në: “Të tërhiqet projektligji, nuk është konsultuar me NATO-n”

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi hapur se nuk do t’i votojë ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Duke kundërshtuar qëndrimin e demokratëve, ai tha se konsultimet me NATO-n për këtë projektligj nuk kanë përfunduar dhe votimi i tij është i nxituar edhe për një arsye tjetër, atë të dhënies së qëndrimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën. “Ky është një projektligj shumë i rëndësishëm, sikurse shumë të rëndësishme janë marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n. Ne jemi anëtarë të Aleancës dhe çdo rishikim i këtij ligji, qoftë dhe një presje, duhet bërë në konsultim të ngushtë me NATO-n. Në dijeninë time deri tani ky konsultim i ngushtë nuk ka përfunduar, kështu që, do të ishte, mendoj, e panevojshme, që kjo çështje të diskutohet sot. Së dyti, të mos harrojmë se kjo është një ditë që gjithë bota, dhe gjithë partnerët i kanë sytë tek vendimi që do të japë GJND-ja, e cila do të risjellë në vëmendje të gjithë botës dhe njëherë tjetër çështjen e Kosovës, ndaj mendoj që diskutimi i këtij projektligji është i nxituar”,- u shpreh ministri i Punëve të Jashtme, njëkohësisht kryetari i LSI-së, Ilir Meta gjatë fjalës së mbajtur në seancës e djeshme parlamentare.

23 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›