Pjerin Ndreu dhe Bledar Doracaj kandidojnë sot për kreun e PS-së së Degës së Tiranës
Eneida Jaçaj
Në kuadrin e zgjedhjeve për krerët e rinj të rretheve të Partisë Socialiste, Dega e Tiranës zgjedh sot kreun e saj. Zgjedhjet nisin sot paradite në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku përballë njëri-tjetrit kandidojnë Pjerin Ndreu dhe Bledar Doracaj.
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Pjerin Ndreu, konkurron për herë të parë për një post të tillë në Partinë Socialiste qysh pas kalimit nga LSI-ja te PS-ja. Ndërsa Bledar Doracaj aktualisht është anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së dhe vjen nga një përvojë disavjeçare në postet drejtuese të FRESSH-it dhe një jetë partiake prej vitesh në PS. Në këto kushte, Partia Socialiste po përgatitet edhe për zgjedhjet vendore, ku kryetari i saj, Edi Rama, në një deklaratë për shtyp disa ditë më parë, ka hedhur poshtë zërat për bojkotim të zgjedhjeve të pushtetit lokal. Do të jetë Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë (KZP), i përbërë nga 7 anëtarë, të kryesuar nga Genci Gjonçaj, i cili do të merret me numërimin e votave pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Zgjedhjet vendore
Partia Socialiste duket se do të përballet fort me maxhorancën në zgjedhjet vendore. Është e dukshme se kandidatët e përzgjedhur nga Kryesia për krerët e PS-së në rrethe janë figura me potencial dhe me sens organizativ, të cilët janë shumë të denjë për t’u përballur me krahun kundërshtar gjatë fushatës së zgjedhjeve të pushtetit lokal. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka lënë të kuptojë se nuk do ta dorëzojë lehtë postin e kreut të Bashkisë së Tiranës dhe se do të kandidojë sërish në një luftë të fortë përballë maxhorancës. Pjerin Ndreu dhe Ndriçim Hysa i Elbasanit janë vetëm dy prej figurave të denja që kandidojnë për krerët e PS-së në rrethe, të cilët do të garojnë bindshëm edhe në zgjedhjet e pushtetit vendor.
Procedura
Përveç Gjirokastrës, Sarandës, Vlorës dhe Librazhdit, procesi zgjedhor për krerët socialistë në rrethe ka nisur që ditën e premte, i cili do të përmbyllet brenda datës 12 korrik. Pas përzgjedhjes së kandidaturave nga Kryesia e PS-së për krerët e rretheve, asambletë socialiste respektive në rrethe do të japin fjalën e fundit për të zgjedhur drejtuesit e partisë në rrethe. Nga e premtja e kaluar, e shtuna e deri sot, të dielën, do të zhvillohet votimi në këto forume, për të bërë të mundur mbylljen e tij deri në datën 12 të këtij muaji. Deputetët e Partisë Socialiste u ndanë në dy seksione për të shqyrtuar listat e kandidatëve nga rrethet. Zyrtarët e lartë socialistë, sipas qarqeve, dhanë opinionin e tyre për të propozuarit që kërkojnë të bëhen kryetarë rrethesh. Në veçanti, zyrtarët e lartë socialistë analizuan kontributet që ata kanë dhënë për partinë dhe angazhimin në bazën e Partisë Socialiste. Më pas, procesi i përzgjedhjes u krye nga Kryesia e Partisë Socialiste.
box
Debati
Mbledhja e Kryesisë së PS-së, e zhvilluar disa ditë më parë për përzgjedhjen e krerëve për PS-në në rrethe, është shoqëruar me debat midis Edi Ramës dhe kundërshtarit të tij politik, deputetit të LMN-së, Ben Blushi. Referuar pikërisht faktit se emri i Blushit nuk ishte zgjedhur si i deleguar, por në vend të tij ishte përzgjedhur ish-kandidati për postin e kryetarit të PS-së, Maqo Lakrori. Mësohet se deputeti Blushi e ka vlerësuar një përzgjedhje të tillë si një shmangie të përfaqësuesve të mendimit ndryshe. Kjo, pasi asnjë prej deputetëve të PS-së, të njohur si kundërshtarë të kryetarit Rama, nuk ishin pjesë e listës së të deleguarve në rrethe, ashtu sikundër nuk u thirrën për të dhënë mendimin e tyre për kandidaturat për postin e kryetarëve të rrethit. Por, një qëndrim i tillë nuk ka gjetur mbështetje nga anëtarët e tjerë të Kryesisë, pavarësisht se reagimi i Blushit ka qenë mjaft i ashpër. Më tej, Blushi e ka konsideruar arbitrar vendimin e marrë nga Kryesia e Partisë Socialiste për të përjashtuar më shumë se gjysmën e kandidatëve socialistë (rreth 100), të propozuar nga baza e partisë për zgjedhjet për kryetarë të degëve në rrethe të PS-së.
STATUTI
Neni 19
Kryetari i Partisë i Rrethit
1. Kandidaturat për kryetar të partisë propozohen nga AS të njësive vendore të rrethit dhe miratohen nga Kryesia e PSSH.
2. Kryetari i partisë së rrethit zgjidhet me votim të fshehtë nga mbledhja e zgjeruar e AS të rrethit. Në përbërje të mbledhjes së zgjeruar të AS të rrethit bëjnë pjesë përfaqësuesit sipas pikës 2, neni 18 dhe kryetarët e OS të rrethit. Mbledhja e zgjeruar e AS të rrethit, si rregull, mblidhet një herë në 4 vjet.
3. Kryetari i Partisë së rrethit është anëtar i AK të PSSH.
4. Kryetari i Partisë së rrethit drejton e koordinon veprimtarinë politike, organizative dhe elektorale të AS të rrethit dhe ndjek veprimtarinë e përditshme të AS të njësive vendore të rrethit.
LSI: Rezoluta e PE-së, udhërrëfyesi më i mirë për vendin drejt integrimit
Lëvizja Socialiste për Integrim ka vlerësuar se Rezoluta e Parlamentit Europian është udhërrëfyesi më i mirë që duhet të ndjekë politika shqiptare për të mbërritur në standardet, të cilat bëjnë të mundur që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Në të njëjtën kohë, LSI-ja konstaton me keqardhje se qëndrimi refraktar i lidershipit të Partisë Socialiste ndaj Rezolutës së Parlamentit Europian është në dëm të interesave të vendit, është në dëm të integrimit europian të Shqipërisë.
Sipas LSI-së, Shqipëria nuk do t’i humbasë sfidat e saj të integrimit dhe shqiptarët nuk do të humbasin shansin për të qenë pjesë e Europës së bashkuar vetëm e vetëm se Partia Socialiste ka humbur zgjedhjet. LSI-ja e ka ftuar Partinë Socialiste ta lërë inatin mënjanë, të reflektojë në qëndrimin e vet duke hequr dorë nga qëndrimet emocionale dhe irracionale e të bëhet pjesë e kontributit për Shqipërinë europiane.
12 Korrik 2010