Krimet e Komunizmit, 22 kandidatët me votë të fshehtë për Institutin
Komisioni i Ligjeve shqyrtoi dje 22 kandidatura të ardhura nga shoqëria civile, të cilët do të votohen nga Kuvendi për të qenë anëtarë të bordit të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit. Mes tyre do të përzgjidhen 7 anëtarë, por ata do të votohen me votim të fshehtë në Kuvend, ndryshe nga dekretet e Presidentit Topi për në Gjykatën Kushtetuese apo në Gjykatën e Lartë. Opozita e cilësoi si ironizuese këtë fakt, duke vënë në dukje se Rregullorja e Kuvendit po lejon votime të fshehta anëtarë bordesh të thjeshta, ndërsa kandidaturat për në drejtësi po i voton në mënyrë denigruese me votim të hapur. Anëtarët e këtij bordi, të Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, janë propozuar nga disa organizata të ndryshe, siç e parashikon ligji. Deputetja Arenca Trashani, relatore e shqyrtimit të kandidaturave për anëtarë të këtij instituti, tha se anëtarët e bordit duhet të jenë personalitete të njohura nga komuniteti akademik dhe shoqëria civile, të cilët zotërojnë aftësi profesionale dhe kanë kontribut. Ajo shtoi se anëtarët e bordit zgjidhen për pesë vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Mandati i anëtarit të bordit është i papajtueshëm me funksione të larta shtetërore, kushtetuese, politike, administrative, si dhe me anëtarësinë në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Në fund të mbledhjes së komisionit, deputeti i PD-së Dashnor Sula ftoi për një drekë të gjithë deputetët e komisionit të ligjeve, në total 27 deputetë. Kjo ftesë shkaktoi batuta në komision. "E shikoni sa mirë e trajtojmë opozitën ne", tha deputeti i PD-së Edi Paloka.
Propozimet për anëtarë të Institutit
Konferenca e Rektorëve
Valentina Duka, Universiteti i Tiranës
Nevila Xhindi, Universiteti Europian i Tiranës
Romeo Gurakuqi, Universiteti i Shkodrës
Alfred Lako, Universiteti Politeknik i Tiranës
Bektash Mema, Universiteti i Gjirokastrës
Eni çobani, Universiteti "Uisdom"
Shoqata Antikomuniste 2 prilli
Sabri Bushati Inxhinier
Shoqata Antikomuniste e ish të Përndjekurve Politikë Demokratë
Nebil çika, gazetar
Arben Ndoci, jurist
Mallëngjim Skënderaj, jurist
Sokol Miraka, 1991-2002 sekretar shteti për fenë katolike.
Akademia e Shkencave
Kolec Topalli, Akademik
Beqir Meta, Akademik
Emin Riza, Akademik i Asociiuar
Instituti i të Përndjekurve
Propozimet e para
Uran Butka, publicist
Luan Buzhiqi jurist
Nikolin Vata, Avokat
Propozimet e dyta
Pjetër Pepa, mjek
Arben Ndoci, jurist
Vilhelme Vranari, shkrimtare
Propozimet e treta
Gjergj Marku
çelo Hoxha
Gëzim Peshkëpia