Ligjet, transferimi i gjyqtarëve edhe pa dëshirën e tyre
Gjyqtarëve u ndalohet me ligj, të bëjnë pjesë në parti politike ose të marrin pjesë në veprimtari me karakter politik
TIRANË- Transferimi i gjyqtarëve nga një gjykatë në një gjykatë tjetër, mund të bëhet edhe me komandim nga instancat më të larta drejtuese. Kjo është një nga pikat kryesore të propozimeve të miratuara dje gjatë seancës së radhës të Komisionit të Ligjeve, i cili ka diskutuar dhe tetë nenet e tjera të projektligjit "për organizimin e pushtetit gjyqësor", si pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë. Ndryshe nga sa parashikon projektligji në fjalë, Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje propozimin e ekspertëve ku kërkohet të sanksionohet me ligj se transferimi i gjyqtarëve nuk mund të bëhet pa pëlqimin e tyre, me përjashtim të rasteve kur e diktojnë nevojat e riorganizimit të sistemit gjyqësor. Klauzolë e cila i lë mundësinë Këshillit të Lartë të Drejtësisë që në momente të veçanta, të papërcaktuara, të mund të kërkojë transferim të një gjyqtari, pavarësisht dëshirës së tij. Gjithashtu një ndryshim tjetër në formulim që i është bërë nenit 19 të projektligjit në fjalë, është edhe përcaktimi i të drejtës për KLD-në, që në rastet kur një gjykatë nuk ka mundësi të shqyrtojë të gjitha çështjet në dispozicion mund të delegojë në ketë gjykatë, me kërkesë të kryetari të gjykatës përkatëse, gjyqtarë të rinj. Ndërkohë që deputetët kanë hedhur poshtë dhe nenin 21 të projektligjit, i cili flet për papajtueshmërinë e mandateve apo detyrave të gjyqtarit. Komisioni ka miratuar dje variantin sipas përmbajtjes së Kushtetutës, që një gjyqtar nuk mund të kryejë asnjë detyrë apo punë tjetër. Ndërkohë që sipas projektligjit përcaktohej që gjyqtari nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore, private ose politike, me përjashtim të mësimdhënies në shkollat e larta ose në shkollën e Magjistraturës. Ndërkohë gjatë seancës së djeshme është miratuar dhe neni i cili u ndalon gjyqtarëve pjesëmarrjen në jetën politike apo edhe pjesëmarrjen në drejtimin e shoqërive tregtare. Kështu gjyqtarëve u ndalohet me ligj, të bëjnë pjesë në parti politike ose të marrin pjesë në veprimtari me karakter politik.