E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj: Ligj për kufizimin e kompetencave të Topit

  Fatmir Xhafaj kërkon përcaktimin e një afati kohor, për dekretimin nga kreu i shtetit të gjyqtarëve të rinj
TIRANË- Reforma në sistemin e drejtësisë do të prekë dhe institucionin e Presidentit të Republikës. Bëhet fjalë për ato të drejta që ka kreu i shtetit në lidhje me funksionimin e gjyqësorit në Shqipëri. Partia Socialiste propozon që pjesë e ndryshimeve në ligjin për "Riorganizimin e pushtetit gjyqësor" të bëhet dhe amendamenti për përcaktimin e një afati kohor për dekretimin nga kreu i shtetit të gjyqtarëve të rinj, apo dhe kryetarëve të gjykatave. Nënkryetari socialist i Komisionit parlamentar të Ligjeve ka theksuar dje se reforma e shumëpërfolur e sistemit të drejtësisë duhet të përfshijë dhe kompetencat e kryetarit të shtetit, në lidhje me të drejtën për dekretimet. Sipas tij, në ligjin për gjyqësorin duhet të përcaktohet qartë procedurat dhe afatet kohore të zbatimit nga ana e presidentit të së drejtës së dekretit, gjithmonë kur bëhet fjalë për çështjet e fushës së gjyqësorit. "Aktualisht, kompetencat e Presidentit janë të rregulluara me Kushtetutë. Megjithatë, kjo është pjesë e një debati të bërë në Komisionin e Ligjeve. Diskutimi ynë ka qenë lidhur me mënyrën e dekretimit nga Presidenti të gjyqtarëve. Personalisht, mendoj se kjo është një çështje që do ta debatojë edhe më tej Komisioni dhe Kuvendi. Natyrisht, duhet të ketë procedura që të rregullojnë realizimin e kësaj të drejte që ka Presidenti. Një nga kufizimet që duhet të jetë detyrim i tij, është se Kreu i Shtetit duhet të ketë një afat të caktuar për t'u dhënë përgjigje propozimeve që bën KLD",- tha Sekretari socialist për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj. Megjithatë nga burime pranë PS-së bëhet e ditur se, një propozim i tillë pritet të bëhet edhe në rastin kur të diskutohet çështja e reformimit të institucionit të Prokurorisë. Edhe në këtë rast do të kërkohet që dekretimi i prokurorëve të rinj nga ana e kreut të shtetit, të bëhet brenda një afati të përcaktuar në ligj. Deri më tani kreu i shtetit nuk ka pasur një kufizim kohor në këtë drejtim, duke sjellë shpeshherë dhe anomali në funksionimin e gjykatave apo edhe prokurorisë. Ndërkohë që një ndryshim tjetër që pritet të bëhet, është edhe ai për betimin e gjyqtarëve. Kështu, ndryshe nga tani, grupi i ekspertëve që po punon pranë Komisionit të Ligjeve për reformën në drejtësi, ka propozuar që betimi i gjyqtarëve të mos bëhet më përpara Presidentit, por përpara KLD-së. Megjithëse, deri më tani ky propozim nuk është miratuar nga deputetët në komision, zëra të ndryshëm pranë tij, bëjnë të ditur se kalimi i procedurës së betimit para KLD-së i lidh gjyqtarët më shumë me këtë institucion, pjesë e të cilit është dhe vet kreu i shtetit, si kryetar i tij
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›