Vendimi për degët e PD: Të hapen dyert për të rinjtë
Sipas parimit "Një anëtar, një votë" do të zgjidhen vetëm kryesitë e nëndegëve dhe kryetarët e nëndegëve, por jo kryetari i degës
TIRANË- Hapja ndaj të rinjve dhe shoqërisë civile, e pas kësaj diskutimi me strukturat e brendshme të partisë, janë dy procese që do t'i paraprijnë zgjedhjeve të reja në Partinë Demokratike. Procesi i ripërtëritjes dhe gjallërimit të Partisë Demokratike, i vendosur në mbledhjen e fundit të Kryesisë, do të kalojë nëpër tre faza kryesore. Sipas Sekretarit Organizativ në PD, Flamur Noka, faza e parë, që do të nisë së shpejti, është hapja e gjithë strukturave të partisë ndaj futjes së elementëve të rinj në to dhe thithjes së këtyre elementëve. Kryesisht, vëmendja do të përqendrohet në thithjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile, intelektualëve dhe të rinjve, si dhe do të synohet vitalizmi i strukturave të partisë. Po në këtë fazë të parë do të ketë një zbritje në bazë të anëtarëve të Kryesisë dhe të deputetëve të PD-së, që do të japin kontributin e tyre në këtë hapje të partisë dhe thithjes së anëtarëve të rinj. Faza e dytë, që do të prekë Partinë Demokratike, është ajo e diskutimit të brendshëm në strukturat e saj. Gjatë kësaj faze, demokratët do të përqendrohen në një analizë të strukturave, funksionimit të tyre të deritanishëm dhe vërejtjes së problemeve të ndryshme, me qëllim për t'i eliminuar ato. Pas këtyre dy fazave të para, gjatë të cilave PD-ja do të ketë përfunduar edhe përgatitjen e një database me të dhënat e anëtarësisë, që është dhe baza për aplikimin e parimit "një anëtar, një votë", do të vijë faza e tretë, ajo e zgjedhjeve të reja në të gjitha degët e PD-së.
"Një anëtar, një votë"
Partia Demokratike e futi këtë parim në statutin e saj që në vitin 2005. Dhe pse është deklaruar se zgjedhjet e reja do të zhvillohen sipas këtij parimi, vetëm një pjesë e degëve të partisë do t'i nënshtrohen totalisht zgjedhjeve sipas këtij parimi. Këto degë do të jenë ato që nuk janë me nëndegë. Në këto degë, sipas parimit "një anëtar, një votë" do të zgjidhen të gjitha strukturat e reja, duke përfshirë kryesinë dhe kryetarin e degës. Në të gjithë degët e tjera, të cilat janë me nëndegë, procesi i zgjedhjeve sipas parimit "një anëtar, një votë" do të jetë pjesor. Sipas këtij parimi do të zgjidhen vetëm kryesitë e nëndegëve dhe kryetarët e nëndegëve, por jo kryetari i degës. Kështu, në degët më të mëdha të PD-së, të cilat janë me nëndegë, si Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora, Shkodra, Fieri, Berati, Lushnjë, kryesia dhe kryetari i degëve nuk do të zgjidhet sipas parimit "një anëtar, një votë", ndërsa kryesitë e nëndegëve dhe kryetarët e nëndegëve po. Këtë aplikim pjesor të "një anëtar, një votë" demokratët e shpjegojnë me vështirësinë e tij, atë të aplikimit, por edhe të pranimit nga anëtarët e partisë. Procesi i zgjedhjeve në degët e PD-së pritet të përfundojë brenda vitit që vjen dhe brenda afateve statutore. Pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve, PD-ja do të mbledhë Kuvendin për të zgjedhur forumet më të lartë drejtuese të partisë. Edhe këto forume, nuk do të zgjidhen sipas parimit "një anëtar, një votë".
Tre fazat e ripërtëritjes së PD
1-Hapja e strukturave ndaj shoqërisë civile dhe të rinjve
2-Diskutimi i brendshëm në strukturat e partisë
3- Zgjedhje të reja në të gjitha degët
Përgjatë dy fazave të para do të ketë zbritje në bazë dhe do të përgatitet database i të dhënave të anëtarësisë, si dhe shpjegimi i parimit "një anëtar, një votë"
Ku do aplikohet parimi "një anëtar, një votë"
Në të gjitha degët e PD-së që nuk kanë nëndegë
Në nëndegët e partisë dhe në kryesitë e tyre
Ku nuk do aplikohet parimi "një anëtar, një votë"
Në zgjedhjen e kryesive dhe kryetarëve të degëve me nëndegëve, ku futen: Tirana, Durrësi, Vlora, Fieri, Elbasani, Korça, Lushnjë, Berati, Shkodra.
Në zgjedhjen e forumeve të larta drejtuese të PD-së, si Kryesia apo Këshilli Kombëtar