SHBA: E rëndësishme rivendosja e legjitimitetit të institucioneve demokratike
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë rolin e Presidentit Topi në përpjekjet për tejkalimin e krizës politike në vend dhe shohin si të rëndësishme rivendosjen e legjitimitetit të institucioneve demokratike. Gjatë vizitës tre ditore në Kroaci, ku mori pjesë në inaugurimin e Presidentit Ivo Josipoviç, kreu i shtetit shqiptar u takua dje me nënsekretarin amerikan të Shtetit, Xhejkob Lju. Gjatë bisedës dy zyrtarët e lartë u ndalën edhe në situatën aktuale politike në vend. “Temë e bisedës ishte dhe zhvillimi i tryezës politike të bisedimeve mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri dhe u vlerësua se mbledhja e saj është një hap konkret, pozitiv që dëshmon rifillimin e dialogut politik, por edhe vullnetin e palëve për gjetjen e një zgjidhjeje konstruktive. Presidenti i Republikës u shpreh se është i angazhuar institucionalisht e personalisht të kërkojë e të gjejë pikëtakimet mes mazhorancës e opozitës”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës. Më tej bëhet e ditur se “në këtë pikë, nënsekretari amerikan i shtetit çmoi përpjekjet e Presidentit të Republikës duke i konsideruar si shumë të rëndësishme për rifillimin e dialogut politik dhe rivendosjen e legjitimitetit e funksionimin e institucioneve demokratike”. Në të njëjtën kohë gjatë takimit u vlerësuan edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Kreu i shtetit u takua dje gjithashtu me Presidentin e ri të Kroacisë, Ivo Josipoviç. Topi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që dy vendet kanë me njëra-tjetrën, duke shprehur vullnetin dhe angazhimin për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve tona, e sidomos të atij ekonomik për zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomiko-tregtare.