Raporti i KQZ, të djathtët rrëzojnë propozimet e Lazajt
Paraqitja e raportit vjetor në Kuvend rikthen debatet e ashpra në KQZ, në lidhje me vendimin e marrë për mos hapjen e kutive të votimit pas kërkesës së bërë nga dy anëtarët e majtë. Katër anëtarët e së djathtës në KQZ-së kanë refuzuar në bllok pesë kërkesat, amendimet e anëtarit të majtë Artan Laze për t’ia bashkangjitur raportit final të KQZ-së. Lazaj kërkonte që në një ndër pikat kryesore të cilësohej si e gabuar mosmarrja në konsideratë nga ana e KQZ-së, kërkesa e dy anëtarëve për hapjen e rinumërimin të kutive të votimit në ZAZ e Beratit. Pikërisht kjo kërkesë ka qenë edhe pika më e nxehtë e debatit mes anëtarëve. “Ju thoni që ne duhet t’i themi Parlamentit që keni bërë që nuk kemi pranuar kërkesën e dy anëtarëve për rinumërim dhe rivlerësim të votave. Kjo për mua është në rast se teproj të them fyerje për ndërgjegjen time profesionale dhe intelektuale, sepse kur e kemi marrë këtë vendim, e kemi marrë të bindur ligjërisht dhe profesionalisht me ndërgjegje të plotë, që e drejta është kështu si e kemi interpretuar ne. Mendoni se duhet t’i them Parlamentit se e kemi bërë gabim. Problemi është se pikëpamja juaj duhet të jetë e logjikshme dhe ligjore”, reagoi kreu i KQZ-së, Ristani. Anëtari Lazaj u shpreh se “nga pikëpamja ime si gjyqtar i vjetër është se kërkesa jonë duhet të ishte pranuar, bashkë me vërejtjet e mia ndaj vendimit të Kolegjit Zgjedhor si një vendim alogjik, përsëri është një vendim i formës së prerë dhe nuk kam të drejtë morale dhe ligjore ta kundërshtoj”, -tha Lazaj. Pas këtyre përplasjeve, KQZ hodhi për votim raportin e parë, ku katër anëtarët Ristani, Zguri, Shtjefni dhe Osmanaj votuan pro, ndërsa Lazaj votoi kundër. Përpara votimit të raportit, kryekomisioneri u shpreh me ironi se “kuptohet që bëhem gjithmonë dhe më i vetëdijshëm se kemi qenë fatlum që ua morëm shtatë vota kur mbyllëm rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve dhe tani nuk votohet mirë”.