E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antidepresivët - urimi i vetëm politik për 4 korrikun e Edvinit

04-07-2011 / Redaksionale

47 vjetori kremtohet me mallkimin për dështimin e politikës së re dhe me depresionin që i shkakton afrimi i 6 korrikut, ku do jepet verdikti për çlirimin e bashkisë së Tiranës nga nomenklatura e korrupsionit
 
Sot Edi Rama mbush 47 vjeç. Ai sot pret urimet dhe mallkime. Në të njëjtën ditë me festën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste, feston ditëlindjen. Rastësia duket se i ka vendosur këto dy data së bashku. Edi Rama rezulton të ketë lindur në 4 korrik të vitit 1964. Ai fillimisht është njohur si piktor-profesor, basketbollist dhe më pas si jo politikan.
Bir i daltaxhiut të Popullit, Kristaq Rama, Edi deri më tani ka siguruar me dhunë një vend në kujtesën e përbashkët të kombit si një njeri që solli të zeza në jetën shoqërore shqiptare. Nga viti 2000 deri më 8 maj të 2011, ai drejtoi Bashkinë e Tiranës, ndërsa më parë ishte në funksionin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në qeverinë “Nano”. Ky i fundi deklaroi më vonë se e mori nga Parisi me vëth në vesh dhe thonj të paprerë. Aktualisht Rama përfundoi me dhimbje elektorale mandatin e tij të tretë në krye të njësisë vendore më të madhe në vend, Bashkisë së Tiranës.
Në vitin 2004 në një operacion imazhi ai pagoi marrjen e titullit “World Mayor”, duke garuar suksesshëm kundër kryebashkiakut të Romës, Athinës dhe Mexico-s.
Në kongresin e tetorit të vitit 2005, pas dorëheqjes së Fatos Nanos nga posti i kryetarit të partisë dhe kalimit në opozitë, karriera e Ramës njohu pikën më të lartë. Në katër vjet, Rama solli një reformë kapilare zëvendësimi të strukturave të PS, duke rikthyer në parti gjeneratën e dytë të Bllokut, por nuk ia doli të bashkojë të majtën, pas ndarjes së LSI-së në 2004, duke humbur zgjedhjet e vitit 2009. Me gjithë humbjen Edi Rama, me një operacion mediatik e propagandistik krijoi alibinë e vjedhjes së votës dhe kauzën e hapjes së kutisë pa pasur asnjë indicie, edhe kur 20 mijë komisionarë socialistë certifikuan rezultatin me firmën e tyre. Me një Kongres allasoj, që më shumë flitej për Berishën dhe aq pak për humbjen e Partisë Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës, kreu i PS-së ia doli ta mbante karrigen përballë kundërshtarit pro-forma Maqo Lakrori.
Dy vitet e fundit kanë qenë të nevojshme për Ramën, jo vetëm për të mbajtur Partinë me kauzën e kutisë dhe grevën e urisë, por edhe për të tentuar herë pas herë marrjen e pushtetit me mjete jo demokratike. Pika kulmore e kësaj tentative ishte “demonstrata”  e 21 janarit të këtij viti ku një grup militantësh të organizuar sulmuan kryeministrinë, me qëllim pushtimin e institucionit dhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme. I vetmi rezultat që mori Partia Socialiste nga kjo tentativë ishte zëvendësimi i kauzës së kutisë, me kauzën e gjakut të atyre fatzinjve që humbën jetën nga përgjegjshmëria e kreut të opozitës – përballë zgjedhjeve lokale. Për tre muaj me radhë Partia Socialiste deri më 8 maj nxiti një fushatë hakmarrëse ndaj qeverisë Berisha. Me 21 janar u gjet kauza e “gjakut”.
Që prej asaj kohe, edhe pas dy humbjes elektorale, ai është kryetari i Partisë Socialiste, forca më e madhe politike e së majtës.
Gjithashtu reagimi ndaj humbjes së karriges në Bashki na dha dhe njëherë një pasqyrë bindëse se Rama nuk është aspak në gjendje të qeverisë vendin. Qytetarët e Tiranës kanë kuptuar se ai është pa asnjë risi, me fjalime patetike pa asnjë program dhe pa asnjë zgjidhje për vendin. Ndërsa qytetarët janë rafinuar dhe shohin interesat, Ed Rama vijon t’u shesë shqiptarëve vetëm fasadën me ngjyra, duke shmangur brendinë boshe të tij dhe programin inekzistent.
Megjithatë datëlindja e Ramës pasohet kësaj radhe me ankthin e vendimit të 6 korrikut nga Kolegji zgjedhor, i cili do të vendosë nëse do të ketë apo jo pavlefshmëri të zgjedhjeve ne kryeqytet siç është kërkuar nga PS-ja. Në këtë Vietnam ligjor, beteja e fundit e së mërkurës në Kolegj duket se është shqetësimi jo vetëm i militantëve socialistëve, por kryesisht e sidomos i kryetarit të PS-së Rama, që pas 6 korrikut do të dorëzojë çelësat dhe detyrën e kryetarit të bashkisë më të madhe në vend. Ndoshta dhurata më e mirë që pret kryetari i PS-së është një pako ant-depresivësh të fortë që ta qetësojnë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›