Ligji, SHISH do hetojë korrupsionin
ADI SHKEMBIKryeministri Sali Berisha paralajmëron ndryshime në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror.Në konferencën e djeshme për shtyp me rastin e 100 ditëve të para të qeverisjes, kreu i ekzekutivit tha se drafti përfundimtar nuk është ende gati, por shtoi se vetë SHISH ka përgatitur propozimet e tij. ReformaKryeministri nuk i’u përgjigj pyetjes nëse drejtori i SHISH-it do ta ushtrojë këtë detyrë brenda një kohe të caktuar apo do të jetë me mandat pa limit dhe i emëruar nga Presidenti me propozim të Kryeministrit. Megjithatë Berisha theksoi se në propozimet që ka dërguar vetë institucioni i inteligjencës, kërkon të marrë kompetencë për të ndjekur hetimin e personave publik. Në komunikimin me mediat kreu i maxhorancës tha se ky është një propozim i drejtë dhe që do të pranohet. “Ligji i SHIK do të ndryshojë. Do të jenë publike të gjitha ndryshimet që do të bëhen. Ligji nuk është përgatitur akoma sepse unë po pres edhe sugjerimet. Shërbimi ka bërë vetë sugjerimet, janë disa. Për shembull, disa shërbime dhe unë e quaj shumë të drejtë këtë, kanë përcaktuar si vepër të tyre për të ndjekur hetimin, investigimin, korrupsionin e personave publik. Aktualisht shërbimi ynë nuk e ka këtë. Gjykoj se ne, një vend me probleme për korrupsionin duhet ta kemi këtë. E kanë futur shërbimi polak, e kanë futur shërbime të tjera”, u shpreh Berisha. Në të njëjtën kohë, kryeministri tha se kompetencat e SHISH-it për të hetuar grupet kriminale do të zgjerohen. “Shërbimi inteligjent shqiptar jep një ndihmë të padiskutueshme, të çmuar policisë së shtetit në ndjekjen e grupeve të caktuara kriminale dhe janë jo të pakta grupet e çmontuara falë informacioneve të tij. Ky objekt duhet të zgjerohet dhe të konsolidohet në ligj në interesin më të mirë të luftës kundër krimit dhe mafies. Në tërësi synohet që objekti i punës së shërbimit të përshtatetet me kërkesat e mëdha që shtron koha. Janë pastaj dhe disa objektiva të tjerë të bashkëpunimit me shërbimet e tjera. Ligji është solid në parimet dhe përcaktimet e tij, ka nevojë për disa plotësime”, theksoi më tej kreu i qeverisë. Kompetencat e SHISHShërbimi Informativ Shtetëror në nenin 3 të tij përcakton dhe objektin e tij, i cili ka lidhje ekskluzivisht me sigurinë kombëtare. “SHISH mbledh informacion nga jashtë në funksion të sigurimit kombëtar, kryen veprimtari kundër zbulimi për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë e të rendit kushtetues”, thuhet në nenin 3 të ligjit për këtë shërbim. Gjithashtu, në këtë nen përcaktohet qartë se SHISH mbledh informacion për terrorizmin, për prodhimin dhe trafikun e narkotikëve, për prodhimin e armëve të dëmtimit në masë, për krimet kundër mjedisit. Edhe mbledhja e informacionit për krimin e organizuar që cenon sigurinë kombëtare përfshihet në objektin e punës së shërbimit informativ Shtetëror. “SHISH mbron sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, të punonjësve dhe të pasurisë me mjete të përshtatshme, duke përfshirë verifikimin e kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve”, thuhet në nenin 3 të ligjit për funksionimin e këtij shërbimi.Paralajmërimi për ndryshime në SHISH“Ligji për Shërbimin Informativ do të amendohet, në mënyrë që të përshtatet plotësisht me kushtet e reja të luftës kundër mafies. Duhet mbështetje më e fuqishme e policisë dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, në mënyrë që të mund ta përballojmë më me sukses këtë betejë. Agjencia e Luftës Kundër Larjes së Parave, do të marrë disa atribute të tjera që kanë vendet demokratike të Evropës. Edhe kësaj agjencie do t’i amendohet ligji përkatës dhe ajo do të ketë ato atribute që ka në Austri, në Holandë, në Belgjike e vende të tjera, të cilat kanë disa kompetenca më të zgjeruara”, tha Berisha pak ditë më parë.