PS: Dialog me maxhorancën, por jo mbi kutitë e mbyllura
Partia socialiste iu përgjigj deklaratës së Zv.kryeministrit dhe ministrit të jashtëm Ilir Meta në lidhje me bashkëpunimin e palëve dhe hyrjen e opozitës në kuvend. Deputetja Olta Xhaçka tha dje gjatë një deklarate për mediat se “Ilir Meta si fillim duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve dhe t’u japë llogari pse e ngeli Shqipërinë në klasë, pse dështoi me liberalizimin e vizave, dhe e izoloi edhe më shumë vendin tonë duke e lënë Shqipërinë të fundit në Evropë”. Sipas saj, dialogu duhet të shoqërohet me hapjen e kutive të votimit të 28 qershorit. “Iliri Meta ta harrojë se mund të lajë gojën me fjalën dialog, madje do të ishte më mirë të mos fliste fare, se sa hap gojën u kujton njerëzve çka thënë kundër dialogut me Sali Gërdecin. Ne nuk mund të pranojmë kushte të ashtuquajtura ligjore për dialog, sepse jo vetëm ligji se ndalon parlamentin të hapë kutitë, po as qeveria s’ka shpëtim duke i mbajtur ato mbyllur me pahir”, u shpreh deputetja socialiste. selia rozë u shpreh dje përmes deputetes së qarkut Korçë se ka qenë gjithnjë e gatshme për dialog. “Partia Socialiste ka qenë dhe mbetet e hapur për dialog, por dialogu duhet të fillojë me zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit, e vërtetë që mund të zbulohet vetëm me hapjen e kutive. Iliri i Sali Gërdecit duhet ta dijë shumë mirë se tani është koha për veprim jo për fjalë boshe. Dialog po, menjëherë, por jo mbi kutitë e mbyllura. Kështu që Iliri i Sali Gërdecit të hapë kutitë ose largohet bashkë me Saliun”, tha Xhaçka. Dje paradite ministri i Jashtëm Meta i pyetur nga gazetarët në lidhje me dialogun që duhet të vendoset mes maxhorancës dhe opozitës tha se opozita duhet të tregojë vullnet. “Dialogu kërkon të paktën dy palë. Dhe në këtë drejtim ju e dini që Qeveria dhe maxhoranca janë të palëkundura për të ecur përpara në rrugën e dialogut. Natyrisht që mbetet në vullnetin e palës tjetër, që edhe ajo vetë të kuptojë filozofinë e dialogut dhe unë shpresoj që ata do t’a kuptojnë”, u shpreh Meta.