Prangosen policët dhe punonjësit e Ballshit për vjedhje gazoili
BALLSH – Vjedhja e radhës në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh ka përfunduar sërish me arrestime, ku të dyshuarit kryesor janë punonjës dhe forcat e sigurisë së ndërmarrjes. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se është organizuar operacioni i koduar me emrin “Gazoil”, i cili në fund ka sjellë arrestimin e 5 personave, ku tre prej të tyre ishin me uniforma policie. Ata ishin të punësuar me kontratë në Kombinatin e Përpunimit të thellë të Naftës Ballsh. Aksioni është realizuar nga Sektori kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut. Burimet zyrtare pohojnë se janë vënë në pranga shtetasit: Taulant Çelën, 33 vjeç, banues në Mallakastër, me profesion punëtor, Ahmet Metohu, 44 vjeç, banues në Ballsh, me profesion polic me kontratë në KPTHN Ballsh, Genci Metohu, 34 vjeç, banues në Fier, me detyrë polic me kontratë në KPTHN Ballsh, Viron Pashaj 33 vjeç, përgjegjës turni në pikën e shitjes së lëndëve djegëse në KPTHN Ballsh, Ilir Shehaj, banues në Fier, me detyrë polici me kontratë. Të gjithë këta shtetas kanë kryer veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrën e ruajtjes së reparteve të prodhimit e të shitjes së lëndëve djegëse në KPTHN Ballsh. Ata kanë arritur të mbushin rreth 50 bidona me kapacitet secila 28 litra me gazoil me qëllim vjedhjen e gazoilit. Pas arrestimit të tyre në flagrancë, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 50 bidonat plastikë të mbushur me gazoil si dhe tre automjete të tyre. Materialet i kanë kaluar organit të akuzës për veprime të mëtejshme hetimore. Para një muaji u ndaluan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët në mënyrë të organizuar vidhnin karburant në këtë ndërmarrje.
TË ARRESTUARIT
Taulant Çela, punëtor në KPTHN në Ballsh
Ahmet Metohu, polic me kontratë në KPTHN Genc Metohu, polic me kontratë në KPTHN Viron Pashaj, përgjegjës turni për shitjet në KPTHN Ilir Shehaj, polic me kontratë në KPTHN
Box 1
Prangoset, vidhte naftë tek furnitori i Bechtel&Enka
MIRDITË – Një person është ndaluar pasi ka vjedhur një sasi karburanti në autobotin që furnizonte firmën që po ndërton aksin Rrëshen-Kalimash. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se pasditen e së mërkurës kanë ndaluar shtetasin Fatmir Çela, lindur dhe banues në Kamzë, pasi në orët e vona të së martës është kapur në flagrancë duke vjedhur një sasi prej 500 litrash karburant nga automjeti tip MAN autobot, me targë TR 3562 N, në pronësi të firmës ALPET. Sipas këtyre burimeve, “ky shtetas dyshohet që në vazhdimësi e kryente këtë veprim duke vjedhur sasi të konsiderueshme nafte, në dëm të kompanisë Bechtel&Enka. Pas denoncimit të bërë nga ana e kësaj kompanie, nisi puna për gjetjen e autorit. Dy ditë më parë përfundoi operacioni me sekuestrimin e mjetit furgon, tip Ford, me targë LA 16445 A, me të cilin është kryer vjedhja si dhe sekuestrimi i 24 bidonave plastikë të mbushur me naftë, e cila ishte në sasinë prej 500 litrash. Shtetasi Fatmir Çela po hetohet për veprën penale të “vjedhjes së pasurisë” nga prokuroria e Lezhës.
Maska të armatosur grabisin pikën e karburantit
LUSHNJE – Dy persona të armatosur kanë realizuar një grabitje spektakolare dy orë në hyrje të qytetit të Lushnjës duke bastisur një pikë karburanti. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në pikën e furnizimit me lëndë djegëse të kompanisë “Kastrati” në Savër të rrethit Lushnjë. Dy persona të armatosur me automatikë “Kallashnikov”, të cilët ishin të pamaskuar, kanë ndalur me një automjet në pikën e karburantit “Kastrati” dhe atje nën kërcënimin e armëve kanë detyruar personin që merrej me shitjet që të dorëzonte të gjitha paratë që kishte në kasë. Burimet policore që kryen hetime në vendngjarje, citojnë shitësin e pikës së karburantit të thotë se ai nuk ka arritur të bëjë rezistencë për shkak se dy personat e armatosur ushtruan ndaj tij dhunë psikologjike dhe fizike. Në këto rrethana, dy grabitësit kanë plaçkitur kasën duke rrëmbyer që andej shumën prej 100 mijë lekësh të rinj. Menjëherë pas aktit grabitës, dy të armatosurit janë zhdukur me automjetin e tyre për në dalje të qytetit të Lushnjës. Policia bën të ditur se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj grabitje.
5 Shtator 2008