Ligji çek për lustracionin nuk prek prokurorët
Deklaratat e mazhorancës, se për projektligjin e pastërtisë së figurave të zyrtarëve të lartë, është marrë modeli çek rezultojnë jo shumë pranë së vërtetës. "Top Channel" ka arritur të sigurojë një kopje të atij ligji, ku rezulton se aty nuk ka asnjë nen, që të thotë se penalizohen zyrtarët, që kanë qenë prokurorë e gjyqtarë në proceset politike. Ligji çek penalizonte disa kategori të zyrtarëve, të cilët në kohën e regjimit komunist nga viti 1945 deri më 1989-ën, nuk duhet të kenë qenë oficerë në Sigurimin e Shtetit, të mos jenë regjistruar në materialet e Sigurimit të Shtetit, si agjentë, apo sigurues të ndonjë apartamenti si vend konspiracioni, informatorë, apo bashkëpunëtorë ideologjik të Sigurimit të Shtetit, të mos kenë qenë sekretarë të degëve të Partisë Komuniste të Çekosllovakisë, apo Partisë Komuniste të Sllovakisë, në shkallë distrikti, në nivel analog e lart, anëtarë të Komitetit Qendror, të Byrosë Ekzekutive të partisë, të mos kenë qenë oficerë në milicinë popullore, të mos kenë qenë studentë të kolegjit Xherzhinski, si dhe një sërë detyrash të tjera të mbajtura në kohën e regjimit komunist, por në asnjë pikë të nenit 2 të këtij ligji nuk përmendet që kategoritë që verifikohen nuk duhet të kenë qenë prokurorë e gjykatës në proceset speciale politike. Një tjetër argument i Kryeministrit Berisha në seancën e ditës së hënë ishte se socialistët të cilët shfuqizuan ligjin për dosjet e miratuara në ‘95-ën. "Ne vendosëm me këtë ligj largimin nga funksionet publike të atyre zyrtarëve që kishin marrë pjesë në këtë batërdi njerëzore, gjyqtarëve, prokurorëve, ndihmësgjyqtarëve, por nuk hapëm asnjë proces. Në vitin ‘97, ata që erdhën në pushtet me rebelim, aktin e parë të tyre që bënë, ishte prishja e procesit të lustrimit", është shprehur Berisha. Nëse analizon veprimet dhe shkresat, rezulton se ishte Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, i cili në maj të ‘97-ës shfuqizoi nenin që penalizonte disa përfaqësues të opozitës të kandidonin në zgjedhje. Por, bashkë me heqjen e nenit që penalizonte politikanët, ish-presidenti Berisha shfuqizoi edhe nenin që penalizonte gjyqtarët e prokurorët. Përmes këtij dekreti, më 13 maj 1997, vetëm një muaj e gjysmë para zgjedhjeve të 29 qershorit të po këtij viti, në frymën e marrëveshjes së 9 marsit, mes forcave politike, pas trazirave sociale, me rënien e skemave piramidale, Presidenti i asaj koh, Berisha, ndryshon nenin 2 të ligjit për pastërtinë e figurës. Ai heq pikërisht atë nen që penalizonte politikanët të kandidonin dhe bashkë me të dhe pikën që zyrtarët që verifikohen nuk duhet të kenë qenë gjyqtarë e prokurorë në proceset politike. Nen, i cili tashmë përfshihet sërish në ligjin e vitit 2008. Një gjë është e sigurt, që drafti aktual, tashmë i kontestuar edhe nga amerikanët, mund të jetë bazuar te një model i huaj, por është e sigurt se ky nuk ka qenë modeli çek.