Raporti paraprak: Në tregun e karburanteve s‘ka konkurrencë
Tashmë nuk ka asnjë dyshim. Tregu vendas i karburanteve zhvillohet në kushte jo konkurruese, duke sjellë çmime të shtrenjta për konsumatorët. Pas disa analizave të bëra në media ka ardhur më në fund edhe reagimi i Autoritetit të Konkurrencës, i cili ka dhënë vlerësimet paraprake. Me anë të njoftimit të dhënë dje për mediat, u mësua fakti se Autoriteti i Konkurrencës ka përfunduar raportin "Mbi Hetimin e Thelluar në Tregun e Karburanteve". Me këtë rast, Autoriteti ka ftuar ndërmarrjet në seancë dëgjimore, për t‘i dhënë mundësi që të shprehin opinionin e tyre rrethj këtij raporti. Raporti konkludon se vihen re kufizime të konkurrencës në treg si pasojë e sjelljes së koordinuar mes ndërmarrjeve kryesore që kanë fuqi të ndjeshme në tregun e shumicës dhe ndërmarrjeve të integruara vertikalisht në tregun e shitjes me pakicë. Në mbështetje të nenit 39 të ligjit nr.9121 "Për Mbrojtjen e Konkurrencës" dhe Kodit të Procedurave Administrative, Autoriteti i Konkurrencës ka ftuar ndërmarrjet nën hetim të tërheqin një kopje të raportit dhe të paraqesin pretendimet e tyre në seancën dëgjimore të datës 26.12.2008. Pas përfundimit të seancave dëgjimore me ndërmarrjet nën hetim, Komisioni i Konkurrencës do të vendosë me objektivitet nëse ka pasur apo jo shkelje të Ligjit nr. 9121, "Për Mbrojtjen e Konkurrencës", duke marrë vendimet përkatëse. Hetimi i Autoritetit ka nisur prej kohësh, rezultati i të cilit pritet të bëhet shumë shpejt publik. Sipas ligjit për konkurrencën, në rast se kompanitë kanë lidhur marrëveshje të fshehtë me njëra-tjetrën për të fiksuar çmimin, atëherë masa e gjobës varion nga 2 deri në 10 për qind të xhiros vjetore. Po dje, grupimi G99 ka reaguar, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme në treg të ministrit të Financave. Para disa muajsh, ndërsa çmimet e karburanteve qenë në rritje, Ministria e Financave urdhëroi që TVSH të mblidhej drejtpërdrejt nga grosistët e naftës, siç ishte normale në atë kohë. "Do të kishte qenë po aq normale që ministri të kishte lëshuar një urdhëresë të re, për ta kaluar sërish mbledhjen e këtij detyrimi te tregtarët e vegjël kur çmimet filluan të binin, e cila mund të sillte uljen e tarifave", u shpreh dje G99, duke shtuar se kostot e çmimeve spekulative po i paguajnë konsumatorët shqiptarë.