E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha ishte shërbëtor i partisë së Enver Hoxhës

Njeri me dy fytyra. Të tillë e cilësoi dje kryesocialisti Edi Rama rivalin e tij politik Sali Berisha. Në një komunikim me median, 24 orë pas seancës parlamentare ku u diskutua projektligji për "spiunët", lideri i opozitës nuk i ka kursyer kritikat. "Mbrëmë shqiptarët e shqiptaret patën rastin të shohin sekretarin e djeshëm të partisë së Enver Hoxhës dhe Kryeministrin e sotëm të vendit, komunistin e vjetër dhe demokratin e flaktë Sali Berisha, në njërën prej shfaqjeve më të shëmtuara të politikës së vjetër të dyfytyrësisë", u shpreh Rama. Sipas tij, "i dyfytyri Sali Berisha, i cili në moshën time ishte ende shërbëtor në partinë e Enver Hoxhës, u tha mbrëmë shqiptarëve se unë, Edi Rama, paskam qenë i lidhur me diktaturën dhe për t‘i bindur shkeli mbi kujtimin e të ndjerit babait tim". "Nuk është hera e parë, vijoi Rama, që Sali Berisha prek të vdekurit e të gjallët e familjes sime, as nuk jam unë i pari që duhet të përjetoj shijen e hidhur të kësaj politike të ndyrë urrejtjeje dhe që duhet të qetësoj nënën e djalin tim, të dhunuar nga gjuha e egër e njeriut, që sot fatkeqësisht qeveris Shqipërinë. Por, nuk jam këtu as për të folur në emrin tim personal dhe as për të mbrojtur veten e familjen time, pas një sulmi shtazarak të kundërshtarit tim politik nga ekranet e nga gazetat e komanduara prej tij", insistoi Rama. Kur kam marrë përsipër të udhëheq betejën për ta larguar nga skena politike këtë monument të dyfytyrësisë së politikës së vjetër të 17 viteve tranzicion, siguroi Rama, i kam marrë parasysh të gjitha, që nga balta e pafundme e akuzave dhe shpifjeve mbi fytyrën time, deri te trazimi i të gjallëve dhe të vdekurve të familjes sime. "Unë jam këtu, sepse nuk jam i vetmi që i preket familja nga ky njeri. Unë jam këtu, sepse nuk jam as i pari dhe as i fundit që duhet të qetësojë prindin e fëmijën, pas dhunimit të familjes nga ky njeri", konstatoi Rama. Drejtuesi i partisë më të madhe të opozitës, tha se kjo politikë që hyn çdo mbrëmje në shtëpitë e shqiptarëve për të mbjellë urrejtje, për të trazuar mendje e zemra prindërish e fëmijësh me egërsinë e saj, për të rënduar shpirtërisht e moralisht miliona njerëz që duan shpresë, zgjidhje për hallet e tyre, perspektivë për fëmijët e tyre, duhet të marrë fund. "Unë jam këtu për t‘i thënë Sali Berishës, si djali i një nëne se duhet të të vijë një herë turp, si burri i një gruaje duhet të të vijë dy herë turp, si babai i dy fëmijëve duhet të të vijë dhjetë herë turp, si gjyshi i nipave e mbesave të tua duhet të të vijë njëqind herë turp dhe si Kryeministri i të gjithë shqiptarëve e shqiptareve që të shohin e dëgjojnë kur dhunon traditën familjare e kodin etik të tyre, duhet të të vijë njëmijë herë turp", nënvizoi Rama. Sakaq, selia rozë vë në dukje se janë të panumërta arsyet përse Kryeministrit të Shqipërisë duhet t‘i vijë turp, teksa mandati i tij po mbaron. Por, shtoi ai, sot le të ndalemi vetëm tek pse duhet t‘i vijë turp, pasi bëri dje rolin e mbrojtësit të zjarrtë të të përndjekurve nga diktatura komuniste. "Sali Berishës duhet t‘i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha mbrëmë, sepse qëllimi i tij nuk ishte dënimi i diktaturës së komunizmit, po mbrojtja e diktaturës së korrupsionit", u shpreh Rama. Sipas PS-së, Sali Berishës duhet t‘i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha mbrëmë, sepse teksa fliste për plagët e komunizmit e kishte mendjen te lulet e korrupsionit, teksa ngrinte zërin për krimet politike të partisë së tij të vjetër, e kishte hallin te krimet ekonomike të partisë së tij të re, teksa akuzonte duke ngritur gishtin te shokët e tij të dikurshëm në shërbim të diktaturës së proletariatit, e kishte merakun te gishti i ngritur nga organi i sotëm i akuzës, në adresë të qeverisë së tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›